Trafikimi i emigrantëve të jashtëligjshëm është shndërruar në një fenomen tepër shqetësues në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë ka raportime për neutralizim grupesh dhe personash që transportojnë klandestinë sirianë në këmbim të përfitimit monetar. Të mërkurën, u raportuan tre raste të ndryshme të këtij trafikimi të qenieve njerëzore.
Shqipëria e gatshme të strehojë refugjatë ukrainas
Kryeministri i vendit tonë, Edi Rama ka shprehur gatishmërinë që Shqipëria të presë refugjatë ukrainas që në ditën e dytë të pushtimit rus.
Kreu i qeverisë e shprehu gatishmërinë për t’i ndihmuar qytetarët ukrainas të prekur nga agresioni, në konferencën të përbashkët për shtyp së bashku me Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi.
“Ne sot në samit jemi angazhuar në fakt këtë herë, e kanë bërë këtë gjë shumë vende të tjera, jo si herën e parë për afganët e shkretë që i lanë rrugëve. Megjithëse prej vitesh ishin në krah të forcave të NATO-s për të mikpritur njerëzit, familjarët që largohen dhe do largohen nga Ukraina. Siç e thashë në këtë situatë, çështja e këtyre njerëzve do jetë në vëmendje të shumë vendeve.
Të gjitha vendet e krahut lindor pa përjashtim janë shprehur hapur për këtë gjë. Bëhet fjalë për shifra për shumë më pak zero. Jemi në një fazë të jetës tonë politike ku zerot i kemi si kusur në debatin politik. Këto janë pak a shumë gjërat që mund të them në hyrje”, tha Rama mes të tjerash.
Mbërrijnë refugjatët e parë ukrainas në Shqipëri
Mbi 20 qytetarë ukrainas kanë hyrë në vendin tonë gjatë ditëve të fundit, që kur ka nisur pushtimi rus. Pavarësisht se kanë ardhur në vendin tonë, refugjatët nuk kanë kërkuar nga policia ndihmë për strehim apo shërbime të tjera.
Një pjesë e ukrainasve mund të jenë akomoduar në apartamentet e blerë me herët në zonën bregdetare, sipas raportimeve.
Nga ana tjetër, një çift ukrainas është vendosur në Pogradec, siç është mësuar. Ata kanë kërkuar në disa banka të nivelit të dytë të hapin llogari për të tërhequr të holla, por nuk janë lejuar për shkak të mungesës së lejes të qëndrimit.
Rastet e goditura të trafikimit
Në njoftimin e parë të Policisë së Shtetit, thuhet se tre trafikantë janë vënë në pranga dhe dy të tjerë, të cilësuar si bashkëpunëtorët e të arrestuarve janë shpallur në kërkim. Gjatë operacionit, janë sekuestruar automjetet dhe aparatet celulare që përdoreshin nga trafikantët për të bërë të mundur zbulimin e bashkëpunëtorëve të tyre.
Në rastin e dytë, një 22-vjeçar është arrestuar nga policia në Durrës pasi po tentonte të trafikonte emigrantë të paligjshëm. Autori u ndalua në zonën e Plepave në Durrës. Gjatë kontrollit në automjetin e tij janë gjetur 7 klandestinë nga Jemeni dhe Palestina të cilët do të transportoheshin drejt Shkodrës. Më pas ata do të kaloheshin në Mal të Zi me qëllim trafikimin në vendet e Bashkimit Europian.
Më pas, Policia e Sarandës ka arrestuar në flagrancë shtetasin Abdalla Bakr, pasi u kap nga uniformat blu duke i dhënë ndihmë 4 shtetasve të huaj për të kaluar kufirin drejt Greqisë. Ky i fundit është kapur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Shkallë”, Konispol, duke ecur në këmbë me 4 shtetas sirianë, të cilët më pas do t’i transportonte në kufi, kundrejt shpërblimit monetar, me qëllim kalimin drejt vendeve të BE-së.
A rrezikojnë refugjatët ukrainas të bien pre e grupeve të trafikimit?
Trafikimi i qenieve njerëzore është një dukuri e përhapur. Nuk përjashtohet mundësia që trafikantët, qoftë edhe qytetarët e zakonshëm që duan të nxjerrin përfitime nga ky aktivitet e shfrytëzojnë shansin. Nisur nga njoftimet për neutralizimin e personave që trafikojnë shtetas sirianë, këta ta fundit bien pre e trafikantëve, pasi këta të fundit u premtojnë kalim për në vendet e Bashkimit Europian.



