Banorët e fshatit Kopanicë pretendojnë se prej më shumë se tre muajsh janë pa ujë të pijshëm, raporton INA . Sot ata protestuan para komunës së Jegunocës, ku nuk munguan as përplasjet verbale me kryetarin e komunës, Dimitar Kostadinoski.
Banorët thonë se jetojnë në kushte të rënda dhe janë të detyruar të përdorin shishe plastike për nevojat bazë të higjienës.
“I ngrohim shishet, nga 5-6 shishe, lahemi si në kohën e përparme. Në cilin shekull jetojmë?” – u shpreh një banor i revoltuar.
“Uji që e marrim nga puset nuk është i pijshëm”, shtoi një tjetër banor.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës Kostadinoski deklaroi se komuna ka ujë të mjaftueshëm, por banorët duhet të ndjekin procedurat përkatëse.
“Komuna ka ujë. Mund të pyetni edhe vendbanimet e tjera. Kush është qytetar i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm, do të ketë ujë – edhe Kopanica, nëse dëshiron. Kur? Kur të nënshkruani marrëveshje”, deklaroi Kostadinoski.