Sot bëhen tre muaj nga aksidentin tragjik i autobusit të firmës “Durmo Turs” në fshatin Llaskarcë, ndërkaq Prokuroria Themelore Publike (PTHP) ende nuk ka ngritur aktakuzë për të njëjtën, ndërkaq gjuhën e profesoreshës, Biljana Vankovska ende është duke i verifikuar faktet. Të gjithë të lënduarit e aksidentit janë lëshuar nga spitalet, transmeton Portalb.mk.
Prokuroria Themelore Publike (PTHP) njoftoi se gjashtë të dyshuar janë në arrest shtëpiak, ndërkaq njërit u janë parashtruar masë e kujdesit.

“Për lëndën për të cilën treguat interes, me vendim të Gjykatës Themelore Shkupi 1, gjashtë të dyshuarve për veprën penale – Vepra të rënda kundër sigurisë së personave dhe pronës në komunikacion, u është parashtruar masë e arrestit shtëpiak. Prej tyre, tre të punësuarve në stacionin për kontrolle teknike një masë e tillë u qe parashtruar menjëherë pas hapjes së procedurës hetimore, kurse tre të dyshuarve të tjerë, fillimisht u qe parashtruar masë e paraburgimit, ndërkaq më pas u zëvendësuar me masë të arrestit shtëpiak. Për personin që dyshohet për veprën penale – Kryerje të detyrës në mënyrë të pandërgjegjshme, me vendim të gjykatës i është parashtruar masë e kujdesit”, thanë nga PTHP-ja.
Në pyetjen e Portalb.mk se kur pritet të ngritët aktakuzë për rastin e aksidentit në Llaskarcë, nga PTHP-ja pa përgjigje konkrete.
“Procedura hetuese është në rrjedhë, kurse prokurorët publik përgjegjës ndërmarrin aktivitete dhe punojnë në sigurimin e dëshmive të nevojshme”, thanë nga PTHP-ja.
Përveç aksidentit, më 13 shkurt 2019-të qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut u ndeshën edhe me gjuhë, e cila sipas njohësve të çështjeve sociale dhe penale, u cilësua si gjuhë e urrejtjes. Rasti është me profesoreshën Biljana Vankovska, ku për të dhe për persona tjerë, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka dorëzuar informacion te PTHP-ja për përdorim të gjuhës së urrejtjes.

Për këtë, sot nga PTHP-ja njoftuan se ende janë duke punuar ende për verifikim të fakteve dhe indicieve të MPB-së.
“Në lidhje me njoftimet e dorëzuara nga Ministria e Punëve të Brendshme për indicie se disa persona, menjëherë pas aksidentit kanë shprehur gjuhë të urrejtjes në rrjete sociale dhe media të tjera, Prokuroria Themelore Publike për verifikim të fakteve dhe atyre indicieve. Nëse vërtetohen elemente të veprës penale, kundër personave do të realizohet procedurë”, thanë nga PTHP-ja.
Nga Ministria e Shëndetësisë sot kanë konfirmuar se të gjithë të lënduarit në aksident janë lëshuar tash e një kohë të gjatë nga spitalet shtetëtore.
Hetimi i Prokurorisë Themelore Publike tregoi se shkak i aksidentit ka qenë mosfunskionimi i frerëve dhe shpejtësia e madhe prej 99 km/h.
Gjashtë persona akuzohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së personave dhe pronës në komunikacion”, ndërkaq personi i shtatë është i akuzuar për “Kryerje të detyrës në mënyrë të pandërgjegjshme”, pasi që ka dhënë leje se takometri (pajisje për matjen e shpejtësisë së autobusit) ka qenë në rregull, pa i bërë paraprakisht kontrollet.


