Rreth tre mijë fëmijë në Maqedoni nuk janë të regjistruar në asnjë institucion, sepse nuk posedojnë çerfitifikatë lindje, apo thënë ndryshe janë fëmijë fantom. Ata mund të rrëmbehen, shiten për organe dhe shteti nuk do të kishte asnjëlloj gjurme për mungesën e tyre, sepse nuk i ka të evidentuar askund, thotë me shqetësim Dragi Zmijanac, themelues dhe kryetar i ambasadës së parë për fëmijë në botë “ Megjashi”, njofton Almakos.
“Kemi numër joformal se rreth 2- 3 mijë fëmijë nuk kanë çertifikatë lindje, ose me fjalë të tjera janë fëmijë fantom të cilët nuk mund t’i gjejmë. Thjeshtë ato mund të zhduken nga territori i Republikës së Maqedonisë, të rrëmbehen, përdhunohen, t’u shesin trupat dhe organet e tyre dhe gjatë kësaj të mos ketë asnjë gjurmë për zhdukjen e tyre nga Republika e Maqedonisë”- thotë për Almakos, Dragi Zmijanac.
Numri zyrtar i fëmijëve të paregjistruar që posedon Ministria për Punë dhe Politikë Sociale është shumë më i vogël.
“Nga 593 raste të gjetura në terren, 204 janë fëmijë numri më i madh i të cilëve janë në moshë për të ndjekur arsimin fillorë”- thonë për Almakos nga kjo ministri.
Sipas tyre, ato nuk regjistorhen sepse as prindi apo kujdestari i femijës nuk posedon dokument identifikimi dhe rrjedhimisht nuk mund të regjistrojë as fëmijën e tyre.
“Gjithashtu kjo ka ardhur për shkak të praktitës së vazhdueshme të implementimit të ligjeve, akteve nënligjore të cilat shpesh nuk janë në përputhje me nivelin lokal, kështu krijohen barrier për regjistrimin e tyre në librin amë të të lindurve”- thonë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Ato rekomandojnë ndryshime ligjore, siç janë ligjin për procedurën jokontestimore, ligjin për librin amë, ndihmën juridike falas dhe ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për qëndrim dhe vendbanim, pa të cilët nuk mund të zgjidhet ky problem.
“Në praktikë, do të bëhet një thirrje publike ku të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë të regjistrohen në departamentet amë me një kërkesë për regjistrim shtesë pavarësisht dokumentacionit që posedojnë, për t’u trajtuar individualisht për secilën lëndë”- thuhet në përgjigjen e MPPS.
Duke mos figuruar në asnjë regjistër apo institucion shtetëror, këta fëmijë nuk ushtrojnë dot as të drejtat e tyre që me ligj i garantohen çdo qytetari të Maqedonisë, përfshirë këtu edhe të drejtën e arsimimit dhe të shëndetësisë. Një fëmijë më pak në bankat e shkollës, është një fëmijë më shumë në rrugë. Në situatë të tillë këta fëmijë keqpërdorën si lypsarë nga prindërit e tyre apo edhe nga rrjete kriminale për punë të ndryshme apo për të kërkuar lëmoshë.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com