Transportuesit privat të kompanisë “Slloboda Prevoz” akuzojnë Ndërmarrjen e Transportit Publik dhe Qytetin e Shkupit për mos pagesën e mjeteve nga shitja e biletave elektronike. Nga kjo kompani thonë se nga janari kur hyri në fuqi vendimi që pagesa të bëhet përmes biletave elektronike dhe jo në autobus, atyre nuk u janë paguar shumë të mëdha parash ndërsa u janë shkurtuar edhe kilometrat që merren si bazë për pagesën e transportit
Duhet kilometrat të paguhen më tepër, pagesa të bëhet në kohë që të mund ti mbulojmë harxhimet edhe mos të ketë probleme me kilometrat që nuk pranohen. Shuma më e përshtatshme edhe diku 1 euro e gjysmë të bëhet, po nëse pagesa nuk bëhet me rregull edhe 2 euro me paguar kot është. Mua personalisht për muajin janar mi kanë heq 3 mijë kilometra që ato bëjnë 3 mijë euro..për muajin shkurt kanë paguar diçka, por edhe aty më kanë shkurtuar por nuk e di sa saktë, por edhe aty duhet të jetë një shumë e mirë, për muajt tjerë ende nuk janë bërë pagesat- thotë Nimet Bejtullau, shofer në “Slloboda Prevoz”.
Problem tjetër i transportuesve privat është mos shënimi i stacioneve të autobusëve, infrastrukturën e dëmtuar rrugore dhe pengesat e shpeshta me sistemin elektronik që përcjell qarkullimin e tyre.
Problemet kryesore i kemi me stacionet, numri 11 dhe 11A nuk ka të nënvizuar vendet se ku ka stacione, ne si shofer ndonjëherë nuk dimë se ku të ndalemi. Nëse nuk ndalemi në stacione atëherë edhe nuk paguhemi. Kemi problem edhe GPRS, mbrëmë kisha një rast, isha në vozitje ndërsa T-home kishte problem me rrjetin, unë paraqitem në qendër ajo thotë nuk mund të të shohë ku je, edhe për këto probleme ne na shkurtohen kilometrat dhe nuk paguhesh- thotë Imer Murati, “Slloboda Prevoz”.
Përgjegjësi i transportuesve privat për linjat 11, 11A, 12 dhe 9 thotë se janë lodhur nga dënimet që kanë marr gjatë këtyre 4 muajve, edhe pse nga Qyteti i Shkupit ishin të paralajmëruar se këto muaj ishin vetëm provë për sistemin e ri të vënë në përdorim.
Kërkesa jonë është të na paguajnë qind për qind sepse ne prej 1 janar e deri më 30 prill kemi qenë në punë me provë, për provë në gjithë botën nuk dënohet askush mirëpo te ne na kanë dënuar..Deri më 31 dhjetor 2016 kemi qenë kundërshtarë të NQP-së e tash NQP-ja na udhëheq neve..unë nuk ju besoj asnjëherë ..pse, vjedhin atje, aty vjedhin me të madhe, parat e tona janë duke i vjedh, mbase në provë po na nxjerrin me minus e çka do të thonë prej tash në maj e tutje- shton nje tjetër shofer.
Nga Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja e Transportit Publik ende nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara nga Alsat lidhur me pretendimet e transportuesve privat. Risitë në transportin publik kanë hyrë në fuqi prej 1 janari të këtij viti dhe që atëherë transportuesit privat janë nën mbikëqyrje të Qytetit dhe NQP-të cilët kryejnë monitorimin dhe pagesën ndaj tyre. Sistemi i ri i transportit zëvendësoi biletat e letrës me kartela elektronike të cilat mbushen në bazë të nevojave të qytetarëve.
Melihate Rustemi

