Myrto Uzuni do të largohet nga Granada në këtë afat kalimtar. Destinacioni i tij i rradhës pritet të jetë MLS, më saktësisht te skuadra e Ostin FC. Uzuni, largohet si rekordmeni i golave te Granada, pasi u bë i huaji më i mirë i të gjitha kohëve në klubin spanjoll. Për Granadan kjo do të jetë një goditje e madhe, të cilën më shumë se të gjithë po e vuan trajneri Fran Escriba.
“Të vetmen herë që fola me të për këtë temë, i thashë se isha shumë i zhgënjyer. Kështu janë gjërat. U zhgënjeva sepse nuk është kjo mënyra. Çdokush në punë mund të ndjejë se është i nënvlerësuar dhe të kërkojë nga kompania e tij të përmirësojë pagesën. Në këtë rast, ne po flasim për një person të cilit tashmë i ishte përmirësuar disa herë paga për rendimentin e tij.
Është krejtësisht legjitime të shkosh në një klub që e konsideron më të mirë ose të duash të fitosh më shumë para. Çdokush në këtë jetë ka vlerat dhe parimet e tij. Mendoj se është legjitime që ta dëshirosh, por ndërkohë duhet të përmbushësh detyrimin tënd, sepse nëse do të ishe lënduar, ke qenë i sëmurë apo ke ikur me kombëtaren, klubi ka vazhduar të të paguajë.
Dhe nëse nuk do të kishe shënuar gol që kur ke ardhur këtu, klubi do të vazhdonte të paguante sepse ka një kontratë të nënshkruar, por në këtë rast vetëm njëra nga dy palët e ka respektuar”, ishte shpërthimi i trajnerit kundër Uzunit gjatë konferencës për media.