Qyteti i Shkupit ka reaguar ndaj vendimit të Komunës Qendër për të ndërprerë punimet në rrugën në kejin e Vardarit, shkruan SHENJA.
Nga Qyteti i Shkupit thonë se ndërtimi i kësaj rruge qasëse me regjim të veçantë të komunikacionit, është paraparë me Planin Detal Urbanistik të miratuar nga Komuna Qendër në vitin 2012, dhe se e njëjta po ndërtohet nga një investitor privat, pra nuk ndërtohet nga Qyteti i Shkupit.
Nga Qyteti i Shkupit thonë se nëse kryetarit të komunës Qendër, nuk i ka pëlqyer plani urbanistik, ka pasur kompetenca që të njëjtin ta ndryshojë gjatë 4 viteve në të cilat udhëheq me komunën Qendër.
Aktivitetet ndërtimore shkaktuan revoltën e qytetarëve dhe afaristëve që kanë bizneset e tyre në kejin e lumit vardar. Bile, gjatë tubimit të djeshëm, u shënua edhe një incident të cilin e kanë regjistruar organet policore. Sipas raportit policor, incidenti ka ndodhur rreth orës 13:00, ku kanë qenë të përfshirë dy persona me iniciale J.S. dhe F.A., të cilët kanë shkëmbyer disa grushte derisa nuk janë ndarë nga të pranishmit dhe forcat policore, të cilët po punojnë në zbardhjen e plotë të rastit. /SHENJA/

