Lidhja Demokratike e Pavle Trajanov ka kërkuar nga Parlamenti që me procedurë të shkurtuar të miratojë ndryshime ligjore, me të cilat do të ndalohet prodhimi i marijuanës (Cannabis sativa) për qëllime të pretenduara mjekësore. “Që nga viti 2017, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me institucione të tjera ka lëshuar 61 licenca për kompani që kanë pasur të drejtë të prodhojnë marijuanë për qëllime mjekësore. Është më se e qartë se kontrolli ka dështuar, prandaj ndodhën vjedhje të inskenuara, përplasje mes narkomafias, sekuestrime të kanabisit nga policia etj. Megjithatë, biznesi kriminal vazhdoi, sepse narkomafia, në të cilën ishin të përfshirë edhe bartës të funksioneve më të larta shtetërore nga pushteti i kaluar, fitoi fuqi të madhe financiare dhe ndikim politik”, thonë nga LD.
Nga atje theksojnë se mbështet fuqishëm aksionin e Ministrisë së Brendshme për konfiskimin e kanabisit dhe kërkon që të veprohet pa selektim, duke u bërë publikisht të ditur pronarët (formalë dhe joformalë) të kompanive që prodhojnë kanabis, si dhe kush dhe kur ka dhënë licencat për prodhim.
Partia kërkon që Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucionet kompetente, të publikojë se sa sasi kanabisi janë prodhuar, ku ndodhen ato (të shitura, në magazinë, të vjedhura etj.) dhe sa fitim është realizuar. “Sekuestrimi i 32 tonëve kanabis (5 në Serbi dhe 27 ton në Maqedoni) është vetëm ‘gërvishtje e sipërfaqes’ së këtij biznesi narkotik, i cili ka pasoja të rënda për shëndetin e gjeneratave të reja, stabilitetin politik, sundimin e ligjit dhe reputacionin ndërkombëtar të shtetit”, thonë nga partia e Trajanov.
Ata kërkojnë që përgjegjësia të zgjerohet edhe ndaj bartësve të funksioneve në ministritë kompetente, të cilët kanë dhënë licenca dhe kanë dështuar në kontrollin e zbatimit të ligjit për të parandaluar abuzimet.


