Gazetar | Adrian Kerimi
Ibin Emshi nga Tetova humbi babanë dhe vëllain nga zjarri tragjik në spitalin modular të Tetovës në shtator të vitit 2021. Pesë muaj më pas, familja Emshi kërkon zbardhjen e të vërtetesë dhe dëmshpërblimin real për dy viktimat e kësaj familje H. Emshi dhe R. Emshi, të cilët njëherësh ishin shtetas Italian. Ata nuk pajtohen me vendimin e Qeverisë e cila ndau 420 mijë euro për 14 familjet e viktimave, shkruan Nistori.
“Miratohen mjete me vlerë prej 420 mijë euro për familjet e 14 viktimave nga zjarri i cili shpërtheu në spitalin ku ishte i vendosur Kovid qendra në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë të datës 23 nëntor 2021 (vendimi Nr. 40-11713/1)
Familja Emshi kërkon drejtësi. Ata duan që si fillim të zbardhet rasti, ndërsa procesi i dëmshpërblimit të shkon sipas standardeve Evropiane, përkatësisht atyre italiane. Avokati i familjes Emshi, Gabriele Giambrone nga Italia paralajmëron padi ndaj autoriteteve në Maqedoni të Veriut.
“Ata janë rezident në Itali, jetonin këtu. Vëllai i klientit tonë ishte me aftësi të kufizuara. Ai beson se oferta e dhënë për 30 mijë euro është një nënçmim, posaçërisht kur shohim atë se çfarë ka ndodhur në atë spital. Kemi parë video incizimet, sa shpejtë është shpërndarë zjarri dhe mendimi jonë është se ato spitale nuk është dashur të ndërtohen në atë mënyrë. Gabimet janë bërë dhe njerëzit duhet kompensuar në mënyrë korrekte. Në Itali ka dispozita në të cilat thuhet se ata të cilët janë rezident të vendit tonë, mund të iniciojnë padi në vendin e tyre ku jeton në, në bazë të jurisprudencës vendase, pra në Itali dhe jo në Shkup”, potencon avokati Giambrone në një prononcim ekskluziv për Nistori.
Përfaqësia ligjore Giambrone ka hasur në injorim total nga ana e autoriteteve në Maqedoni të Veriut. Prej sa muajsh ata kërkojnë bashkëpunimin me institucionet ekzekutive në vend, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kërkesa e tyre i është adresuar kryeministrit Zoran Zaev, ish ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq. Asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur.
Nistori ka kërkuar zyrtarisht qëndrimin e organit ekzekutiv dhe dy resorëve kompetent, por deri në këto momente nuk kemi marr asnjë përgjigje. Qeveria, Drejtësia dhe Shëndetësia nuk japin as informacionin se mbi çfarë kriteresh është caktuar shuma prej 30 mijë euro për familje (apo për viktimë) dhe as për afatin e aplikimit, për cilin NISTORI posedon dëshmi se është bërë në afat rekord, respektivisht brenda disa orëve. Përgjigje ndaj kërkesave të familjes Emshi refuzon të japë edhe kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski, ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali dhe ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski.
Giambrone në letrën e adresuar kërkon të dihen detaje nga procedura hetimore e deritanishëm. Zyrës së tij nuk i janë dhënë as informacionet bazike si kompania e cila ka ndërtuar dhe siguruar objektin, faza hetimore dhe as mundësia për të monitoruar (në përputhje me ligjin) procesin hetimorë të tragjedisë.