Numri i viktimave nga përmbytjet që goditën Teksasin qendror të premten ka arritur në mbi 100 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Katastrofa ndodhi në orët e para të mëngjesit të 4 korrikut, kur reshje të rrëmbyeshme mbushën lumenjtë dhe përmbytën zona të tëra në një nga festat më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën përgjatë brigjeve të lumenjve të përmbytur dhe të mbushura me baltë, por shpresat për të gjetur të mbijetuar janë gjithnjë e më të pakta, katër ditë pas fatkeqësisë. Moti i keq pritet të vazhdojë, me Shërbimin Kombëtar të Motit (NWS) që paralajmëron për më shumë stuhi të ngadalta dhe rrezik për përmbytje të tjera të menjëhershme.
Një ndër goditjet më të rënda është regjistruar në Kampin Mystic, një kamp veror për vajza të krishtera, ku të paktën 27 vajza dhe anëtarë të stafit kanë humbur jetën. Dhjetë vajza të tjera dhe një këshilltar i kampit figurojnë ende të zhdukur.
Në total, 84 nga viktimat – 56 të rritur dhe 28 fëmijë – u konfirmuan në Qarkun Kerr, ku lumi Guadalupe doli nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura. Zyra e sherifit bëri me dije se rreth 22 të rritur dhe 10 fëmijë ende nuk janë identifikuar.
Kampi Mystic, në një deklaratë publike të bërë ditën e hënë, u shpreh: “Zemrat tona janë të thyera së bashku me familjet tona që po përballen me këtë tragjedi të paimagjinueshme.”
Një nga viktimat ishte edhe bashkëpronari dhe drejtori i kampit, Richard Eastland, 70 vjeç, i cili humbi jetën teksa përpiqej të shpëtonte fëmijët. “Ai vdiq si hero,” tha pastori lokal Del Way për BBC-në, duke shtuar se mungesa e tij do të ndihet thellësisht në komunitet.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka mohuar akuzat se shkurtimet buxhetore në Shërbimin Kombëtar të Motit kanë penguar reagimin ndaj katastrofës. Kritikët e administratës Trump kanë ngritur shqetësime për ndikimin e prerjeve të fondeve në aftësinë për parashikim dhe menaxhim të fatkeqësive natyrore.
Zyra rajonale e NWS kishte pesë meteorologë në detyrë gjatë natës kur stuhitë përfshinë Teksasin, numër që konsiderohet standard për situata të tilla.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet për sigurinë, pasi rreziku nga përmbytjet mbetet i lartë.