Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prilep, ku tre persona humbën jetën si pasojë e një konflikti familjar të përgjakshëm. Sipas informacioneve të para, një 63-vjeçar nga Prilepi vrau nipin e tij 43-vjeçar dhe djalin e këtij të fundit, vetëm 12 vjeç, për shkak të mosmarrëveshjeve familjare dhe çështjeve të pazgjidhura pronësore. Më pas, autori i krimit kreu vetëvrasje.
Sipas Prokurorit Publik, Stevço Binoski, viktimat kishin shkuar në shtëpinë e vrasësit, i cili ishte xhaxhai i viktimës së rritur, në rrugën “Stevan Apostollski”, rreth orës 15:00 deri 16:00. Në shtëpi nuk kishte askënd tjetër përveç xhaxhait. Më parë, ai ia kishte lënë me testament shtëpinë nipit të tij, përcjell TS.
Deri rreth orës 22:00 nuk dihet saktësisht çfarë ndodhi brenda shtëpisë, por fqinjët kanë dëgjuar të shtëna me armë pak para se të arrinte policia. Pikërisht gruaja e viktimës u alarmua dhe lajmëroi autoritetet, pasi bashkëshorti dhe djali i tyre mungonin për disa orë.
Kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes, autori hodhi një granatë dore në drejtim të forcave të rendit, e cila fatmirësisht shpërtheu vetëm pjesërisht dhe nuk shkaktoi lëndime. Pas kësaj, u angazhua njësia speciale “Tigër”, e cila rreth orës 01:00 pas mesnate hyri në shtëpi dhe gjeti trupat e pajetë të tre personave.
Prokuroria ka urdhëruar obduksion për të tre trupat, ndërsa qytetarët e Prilepit janë të tronditur nga kjo tragjedi familjare.
Ky është nipi i tij 43 vjeçar bashkë me djalin 12 vjeç.