Një person i katërt ka ndërruar jetë pas një të shtënë me armë në Qarkun Fermanagh, ku humbën jetën një nënë dhe dy fëmijët e saj.
Ian Rutledge, 43 vjeç, ndërroi jetë në spital të hënën në mbrëmje pas incidentit që ndodhi të mërkurën e kaluar në Maguiresbridge, tha Shërbimi Policor i Irlandës së Veriut (PSNI). Vanessa Whyte, 45 vjeç, një veterinare me origjinë nga Qarku Clare, djali i saj James, 14 vjeç, dhe vajza Sara, 13 vjeç, u vranë gjithashtu.
Hetimet për vrasje nisën javën e kaluar, ndërsa policia deklaroi se një nga pistat kryesore është ajo e një vrasjeje të trefishtë, ndjekur nga një përpjekje për vetëvrasje. Të katër personat kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
“Detektivët kanë përsëritur thirrjen e tyre që kushdo që ka informacion, sado i parëndësishëm mund të duket, mund të njoftoi autoritetet,” tha një zëdhënës i policisë.
Ngjarja tronditi komunitetin rural dhe nxiti homazhe të shumta. “Jemi zemërthyer. U prehtë në paqe,” shkruhej në një shënim të lënë bashkë me lulet në vendngjarje.
Një shërbesë lutjeje për Vanessa Whyte dhe fëmijët e saj u mbajt në Barefield, Qarku Clare.
Gjatë shërbesës, prifti i famullisë, Tom Fitzpatrick, tha: “Tragjedia e patreguar që ka ndodhur në famullinë tonë është diçka mbi të cilën është shumë e vështirë të përqendrohemi dhe ta pranojmë si realitet.
Çfarë prek një individ ose një familje të caktuar në famulli, prek të gjithë. E di që Vanessa ishte një grua që jepte shumë. James dhe Sara ishin drita e syve të saj”.
Ai shtoi: “Le ta kujtojmë Vanessën jo vetëm për mënyrën tragjike se si vdiq, por për jetën që jetoi – buzëqeshjen e saj, forcën, dhe dashurinë e jashtëzakonshme e të fuqishme për fëmijët e saj. Ajo dha gjithçka deri në fund.”
“Ne i kujtojmë Jamesin dhe Sarën, jo vetëm si viktima të dhunës, por si fëmijë që luanin, qeshnin dhe kishin historitë e tyre të preferuara, ushqimet e tyre të dashura, dhe pa dyshim, ëndrra të mëdha. Ëndrra që nuk do të përmbushen kurrë, por që kishin rëndësi sepse ishin të tyret.”
Një shërbim mortor pritet të mbahet në Qarkun Clare më vonë gjatë javës.
Whyte ishte zhvendosur në Fermanagh disa vite më parë dhe punonte në Departamentin e Bujqësisë, Mjedisit dhe Çështjeve Rurale në Enniskillen.
Kolegët dhe miqtë e saj e përshkruajnë si një grua të dashur, të thjeshtë dhe shumë të përkushtuar ndaj fëmijëve të saj. Shkolla e Mesme Mbretërore e Enniskillen deklaroi se po mban zi për “humbjen e dy nxënësve të dashur dhe shumë të vlerësuar”.
Shërbimi i ambulancës njoftoi se kishte marrë një telefonatë në orën 08:21 të mëngjesit të mërkurën dhe kishte dërguar ekipe emergjence në vendngjarje, ku Whyte dhe një nga fëmijët u shpallën të vdekur në vend.
Ian Rutledge u transportua me helikopter në spitalin Royal Victoria në Belfast, ndërsa fëmija i dytë u dërgua në një spital në Enniskillen, ku më vonë u shpall i vdekur.
Pat Cullen, deputete e Sinn Féin për Fermanagh dhe South Tyrone, tha se komuniteti po vajtonte për humbjen e anëtarëve të çmuar. “Dy fëmijë të vegjël kanë humbur jetën dhe një nënë, në një kohë kur ata thjesht duhet të shijonin pushimet shkollore dhe të kalonin kohë të mrekullueshme së bashku,” tha ajo për BBC.
Një homazh për Whyte dhe fëmijët e saj u bë edhe gjatë finales së All-Ireland në Croke Park, Dublin, të dielën.