Ndonëse Prokuroria Publike ngriti akuzë kundër gjithsej 34 personave fizik dhe 3 juridik, nga gjithsej 50 të dyshuar paraprakisht, partitë opozitare nuk janë të kënaqura me këtë epilog. Prokuroria punon me urdhra të pushtetit akuzon opozita. Sipas deputetit të Frontit Evropian, Skender Rexhepi, ndonëse pati iniciativë për interpelancë ndaj Kocevskit, pasi ndodhi Koçani, Mickoski atë nuk e shkarkoi me kusht që ta mbajë nën kontroll të tij, akuzoi Rexhepi.
“Realiteti në ndodhinë tragjike në Koçani është larg asaj që duhet të jetë nga një hetuesi e pavarur pasi që njerëzit zyrtarë të afërm me qeverinë janë lënë anash nga çdo lloj hetimi dhe merren masa ndaj njerëzve të cilët, efekti i të cilëve duhet të jetë kryekëput politik dhe ndëretnik për fat të keq. Kjo prokurori dhe kjo gjyqësi nuk mund ta ketë përkrahjen e institucioneve që quhen të pavarura sepse nuk janë të tilla në asnjë mënyrë”, tha Skender Rexhepi – Fronti Evropian.
Të pakënaqur janë edhe nga “E Majta”. Përfundimi i hetimeve sipas tyre, e dëshmon atë se arrestimet fillestare me të cilat mburreshin Toshkovski e Mickoskit, kanë qenë thjeshtë për shou. Shumë prej funksionarëve të VMRO-së që u arrestuan, më pas u lëshuan tha deputeti Amar Mecinoviq.
“Hetimi ishte absolutisht në drejtim të fshehjes të atyre që ishin të afërt me VMRO-DPMNE-në por për shkak se kontesti i publikut ishte shumë i fuqishëm me kërkesat për drejtësi, ne të gjithë e dimë se kjo është një nga gjërat më të rralla ku e gjithë shoqëria u elektrizua dhe u arrit një presion ndaj pushtetit por nuk jemi të kënaqur, veçanërisht sepse ja po përfundon hetimi, mbajeni mend këtë fjalë, pushteti do t’i bllokojë përpjekjet për debat mbikëqyrës nga opozita”, u shpreh Amar Mecinoviq – “E Majta”.
Ndërkohë nga LSDM janë të kënaqur që në hetim u përfshinë edhe pjesëtarë të tjerë të policisë të cilët siç thonë, që nga fillimi mbroheshin nga Toshkovski e Mickoski. Qëllimi i VMRO-së ishte që përgjegjësia të mos arrijë deri te drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, dhe deri te ministri Pançe Toshkovski, thuhet në komunikatën e LSDM-së. /Alsat.mk