Shtatë muaj pas tragjedisë në Koçan ku humbën jetën 63 persona, nuk ka akuzë kundër policëve që janë nën hetim nga Prokuroria e ndjekjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit për lëshimet e tyre të mundshme që më vonë rezultuan në një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e kohëve të fundit të vendit. Nga atje për Alsat deklarojnë se aktakuza është ende duke u përgatitur
“Provat e mbledhura në lidhje me incidentin në fjalë po analizohen. Ende nuk ka aktakuzë për rastin, megjithatë, kur të përgatitet, publiku do të informohet në kohë”, thonë nga Prokuroria e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PThP NKOK).
Hetimi po zhvillohet kundër 30 policëve të cilët akuzohen se nuk kanë kryer inspektim të hollësishëm si punonjës të stacioneve policore në Shtip dhe Koçan në kohën kur klubit të natës “Puls” iu dha licenca për punë, në pjesën e ruajtjes së sigurisë dhe rendit publik. Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar filloi hetimin menjëherë pas zjarrit, fillimisht kundër shtatë policëve kurse në prill hetimi u zgjerua për të përfshirë dhjetë të tjerë. Në muajin qershor hetimi përfshiu 13 policë të tjerë. Megjithatë, deri më sot, nuk ka pasur aktakuzë kurse Prokuroria përkatëse nuk është përgjigjur nëse mund të ketë zgjerim të ri të hetimit. Ndërkohë, më 19 nëntor, në sallën e gjyqit të Idrizovës do të fillojë seanca kryesore për rastin tjetër që po zhvillon Prokuroria Themelore Publike. Në këtë rast, ka akuza kundër gjithsej 37 personave fizikë dhe juridikë, por së fundmi u zbulua se disa inspektorë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike janë gjithashtu nën hetim kurse të njëjtit janë pezulluar nga puna teksa hetimi vazhdon. Përveç DAP, prokurori publik i shtetit një muaj më parë tha se po hetohen edhe Institucione të tjera, por deri më sot, prokuroria nuk ka zbuluar më shumë detaje. /Alsat.mk


