Të tjera detaje janë zbardhur nga goditja e grupit kriminal që trafikonte armë nga Mali i Zi drejt Shqipërisë, konkretisht në zonën e Freskut në Tiranë.
Policia arrestoi dy persona, Donati Jaku dhe Florian Gjeta, të cilëve iu kapen 6 pistoleta që do t’i shisnin në zonën e Freskut në një grup kriminal me bazë në këtë zonë, raporton gazetarja Xhensila Kodra.
Fillimisht ata dolën në disa përgjime të bëra më herët, ndërsa hetimi zbardhi të plotë dinamikën e trafikut.
Florian Gjeta, nga Domja, dyshohet se prej vitesh e kryente aktivitetin e trafikut të armëve. Më herët ai ka jetuar në Angli, vend ky dyshohet po ashtu ta ketë ushtruar të njëjtin aktivitet.
Po ashtu Gjeta edhe në rrjete sociale nxirrte foto hapur me armë në brez. Hetuesit e Komisariatit nr. 4 dyshojnë edhe për persona të tjerë të përfshirë, të cilët po punojnë për verifikimin e plotë.
LEXO EDHE: EMRAT- Goditet një grup kriminal që trafikonte armë, arrestohen dy persona, në kërkim bashkëpunëtori
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet si rezultat i një hetimi dymujor, operacioni i koduar “Rotondo”.
Goditet një tjetër grup kriminal i përfshirë në trafikim dhe shitje të armëve të zjarrit.
Sekuestrohen 6 pistoleta të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen, kryesisht në zonën e quajtur “Fresku”.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetasit që transportonin me automjet, armët e zjarrit.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një bashkëpunëtor i tyre.
Si rezultat i një hetimi të kryer për 2 muaj, me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit, finalizuan operacionin e koduar “Rotondo”.
Gjatë operacionit, u vunë në pranga shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.
Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.
Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë.
Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S..
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


