Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka bërë të ditur se zjarri që shpërtheu së fundmi në Trubarevë është vënë nën kontroll, ndërsa në terren janë angazhuar të gjitha resurset e disponueshme për shuarjen e tij. Sipas tij, zjarri është lokalizuar dhe po shuhet me rërë të imët, duke eliminuar rrezikun për përhapje të mëtejshme, raporton SHENJA.
“Katastrofa të tilla janë kërcënuese për jetën,” theksoi Toshkovski.
Toshkovski konfirmoi gjithashtu se nuk ka rrezatim radioaktiv, por paralajmëroi për nivel të lartë ndotjeje me substanca të dëmshme në afërsi të menjëhershme të zjarrit. Në një distancë prej 400 metrash nga vatra, nuk është evidentuar ndotje, por banorëve që jetojnë pranë zjarrit u rekomandohet të largohen përkohësisht nga banesat e tyre. Në ndihmë të tyre janë vënë në dispozicion kapacitetet e Qendrës për Trajnim, e cila ndodhet në afërsi.
Ndërkohë, autoritetet po zhvillojnë biseda me tre persona në stacionin policor për të hetuar shkaqet dhe rrethanat që çuan në shpërthimin e zjarrit. /SHENJA/