Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një intervistë për një televizion nacional, paralajmëroi zhvillime të reja në lidhje me rastin “Mazut”, përcjell PressOnline.al.
“Edhe ju edhe opinioni publik shumë shpejt do ta kuptoni pse e kam thënë këtë që po e them”, deklaroi ministri, pa dhënë më shumë detaje.
Bëhet fjalë për procedurën hetimore që zgjati më shumë se një vit, derisa para dy javësh prokurorja kompetente Katerina Kollareviq vendosi ta mbyllë rastin për shkak të mungesës së provave. Të dyshuar në rast janë 13 persona, mes tyre biznesmenët Ratko Kapushevski, Asmir Jahoski dhe Erxhan Sulkoski, si dhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe për pastrim parash.
Toshkovski tha se posedon prova për të cilat publiku ende nuk është në dijeni.
“Sepse unë di disa prova që ju nuk i dini dhe nuk mund t’i dini. Unë i di sepse duhet t’i di. Dhe do të tronditeni si ju ashtu edhe opinioni maqedonas kur të vijë koha për këtë. Por pozitivisht. Jam i bindur se ai moment do të vijë. Nëse për veprime të tilla lejojmë që rasti të mbyllet kështu, atëherë unë nuk duhet ta bëj këtë punë, as ata që punojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe veçanërisht në Prokurorinë Publike nuk duhet të jenë aty ku janë”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se është jashtëzakonisht i zhgënjyer nga veprimi i Prokurorisë Publike.
“Jam thellësisht i zhgënjyer nga ajo që ndërmori Prokuroria Publike, sepse këtu ekziston një teori e qartë e rastit, e cila ndoshta kufizohet me teori konspirative. Është shumë e çuditshme pse pikërisht në këtë periudhë po ndodhin këto zhvillime që lidhen me të njëjtin ‘dominus litis’ në procedurë. Koha do të tregojë pse është kështu. Në këtë fazë nuk mund të flas më shumë”, theksoi Toshkovski.
I pyetur nëse me deklarata të tilla po ushtron presion, ministri tha se, duke pasur parasysh materialet e provave që ai posedon, kjo është mënyra më e butë me të cilën mund të komunikojë me publikun.
“Më butë se kjo nuk di. Kjo është mënyra më e butë. Dhe shumë shpejt edhe ju edhe opinioni publik do ta kuptoni pse e kam thënë këtë”, deklaroi ai.
Lidhur me hetimin e mbyllur, kompania shtetërore EMV ka dorëzuar ankesë në Prokurorinë e Lartë Publike dhe kërkesë për kontroll në Prokurorinë Publike Shtetërore.
Prokurorja Kollareviq ka deklaruar në disa raste se hetimi është mbyllur edhe për faktin se përfaqësues të EMV-së kanë deklaruar në procesverbal se kompania nuk ka pësuar dëm nga tenderët. Nga EMV, megjithatë, thonë se personat e dërguar kishin për detyrë të shpjegonin aspektet teknike dhe jo të flisnin në emër të menaxhmentit për dëmin e mundshëm të kompanisë.


