Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mbrëmë deklaroi se sistemi “Safe City” do të hyjë në funksion më 1 janar 2026 dhe se ata që mendojnë se mund të sillen si “ninxha” në rrugët e Shkupit apo në autostradat e Maqedonisë së Veriut – pra që do të ngasin automjete në mënyrë të pakujdesshme – do t’u konfiskohet përfundimisht automjeti dhe që nga dita e nesërme ai do të vihet në shërbim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, e të ngjashme.
Gjatë pjesëmarrjes në MRTV, Toshkovski theksoi se njoftimet për shkeljet në trafik do t’u dërgohen qytetarëve në telefonat e tyre celularë.
Ai shpjegoi se në rast të një shkeljeje të vogël, do të mjaftojë pagesa e një gjobe, ndërsa për shkelje më të rënda do të kalohet në gjykatë, ku mund të shqiptohet edhe ndalim drejtimi.
“Në telefon do të merrni një mesazh që thotë se keni bërë një shkelje në këtë apo atë ditë, ‘ju lutemi paraqituni në Ministrinë e Punëve të Brendshme nëse doni të merrni provat ose klikoni në uebfaqe nëse doni të shihni fotografinë që kemi si dëshmi ndaj jush’. Procedura vazhdon: nëse është një shkelje e vogël, paguhet gjoba; nëse është më e rëndë, shkon në gjykatë dhe mund të ketë ndalim drejtimi… Më pyesin: nëse konfiskoni një Ferrari, çfarë do të bëni me të? I them: do t’ia japim kopshtit ‘Cvetçe’ që të bëjnë xhiro fëmijët. Rëndësi ka që automjeti do të merret dhe ai që ngas në mënyrë të pakujdesshme nuk do ta ketë më atë lloj automjeti. Le të shohim pastaj nëse do të blejë një të ri, a do të bëjë të njëjtën gjë,” – shtoi Toshkovski.
Sa i përket arratisjes së ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ministri deklaroi se “udhëtimi zyrtar” i Grubit ka zgjatur shumë, por shpreson se një ditë do të përfundojë dhe se ai do të ndiqet penalisht nga organet kompetente.
Për arratisjet e ish-drejtorëve të ESM-së dhe Lotarisë Shtetërore, Vasko Kovaçevski dhe Perparim Bajrami, Toshkovski theksoi se në të ardhmen do të ketë shumë më tepër persona që do të përballen me drejtësinë dhe me qytetarët maqedonas për faktin se “kanë vjedhur popullin në mënyrë të pabesë dhe pa pikë turpi.”