Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, ka bërë të ditur se ende nuk mund të përcaktohet se kur uji në Gostivar do të jetë sërish i sigurt për përdorim. Ai tha se ekipet e ekspertëve janë angazhuar në terren, ku po marrin mostra nga disa pika të sistemit të furnizimit me ujë, ndërsa rezultatet e analizave do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm për zgjidhjen e situatës.
Sipas vlerësimeve fillestare të ekspertëve, një nga masat që pritet të ndërmerret është hiperklorimi i sistemit të furnizimit me ujë, me qëllim dezinfektimin e tubacioneve dhe rikthimin e tyre në gjendje të sigurt funksionale.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I BRENDSHËM
“Bazuar në vlerësimet fillestare të ekspertëve, ka shumë gjasa të realizohet hiperklorimi i sistemit të furnizimit me ujë, në mënyrë që tubacioni të vihet në gjendjen e duhur. Pas kësaj procedure do të kryhen analiza shtesë, fillimisht për të përcaktuar nëse uji është i sigurt për përdorim teknik dhe më pas nëse mund të përdoret për pije.”
Toshkovski sqaroi se institucionet do ta informojnë publikun menjëherë pas përfundimit të analizave dhe përcaktimit të planit për normalizimin e plotë të furnizimit me ujë në Gostivar. /SHENJA/



