Pala mbrojtëse e Grupit të Kumanovës, në kryer me avokatët Artene Iseini dhe Naser Raufi, kanë kërkuar nga institucionet shtetërore zbardhjen e rasteve, sepse një pjesë bukur e mirë e klientëve të tyre gjatë vitit që lamë pas ishin objekt dhune nga ana e pjesëtarëve të njësisë speciale, shkruan gazeta KOHA. Kjo kërkesë e tyre vjen si rezultat i mos procedimit të ankesave, padive dhe denoncimeve që janë bërë në Prokurorinë Publike, nga koha kur filluan maltretimet e para ndaj personave që u burgosën në Lagjen e Trimave, me datë 9 dhe 10 majit të viti 2015.
Heshtja e Prokurorisë
Veprimet e ulëta të njësive speciale që e realizojnë transportin e këtyre të akuzuarve nga burgjet drejt gjykatës, janë në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut. Duke e komentuar zvarritjen e hetimeve, avokati Raufi për gazetën KOHA, ka thënë se nëse prokuroria si institucion relevant për zbardhjen e këtyre rasteve, pengohen nga nëpunësit e Ministrisë për Punë të Brendshme për t’i gjetur autorët e vërtet, atëherë ajo duhet të iniciojë procedura disiplinore kundër krerëve të këtij organi shtetëror.
”Problemi për mos procedimin e padive që kanë të bëjnë me keqtrajtimin e të akuzuarve në rastin e Kumanovës, mendoj se qëndron te Prokuroria Publike. Në bazat të këtyre zhvillimeve, mendoj se faji qëndron te ky institucion, pasi që një prokuror nuk e ka problem ta zbulojë se cila njësi apo cili pjesëtar ka qenë në detyrë atë ditë në ndërrim. Reagimet paraprake duhet të jenë nga prokuroria, me atë që ato do të kërkojnë nga MPB emrat e personave, respektivisht nëpunësve të policisë që kanë qenë në ndërrim kohën kur kanë ndodhur këto keqtrajtime”, shprehet avokati Raufi. Qëndrimi i avokates Iseini, për bllokimi, gjegjësisht ngecjen e hetimeve për torturat ndaj pjesëtarëve të “Grupit të Kumanovës”, që në të shumtë e rasteve të deritanishme ka qenë praktikë të maltertohen ata që janë me prejardhje nga Kosova, është se Maqedonia si nënshkruese e një sërë konventash ndërkombëtare, ku mbrohen të drejtat dhe liritë themelore, duhet ta zbatojë edhe sistemin juridik të vendit. ”Disa herë është konstatuar se gjatë transportit për në gjykatë ndaj të akuzuarve për rastin e Kumanovës është ushtruar dhunë fizike dhe psikike. Të gjitha këto tortura, nga pjesëtarët e njësisë speciale, janë bërë në kohë kur këta të burgosur kanë qenë me duar e këmbë të lidhura. Shpresojmë që MPB dhe Ministria e Drejtësisë do të kontribuojnë në zbardhjen dhe gjetjen e autorëve. Nuk do mend që pjesëtarët e policisë, gardianët, drejtorët e burgjeve, prokurorët, hetuesit, gjykatësit, ministrat dhe institucionet janë secili në vete hallkë shtetërore, që në fund bëjnë edhe shtetin”, tha avokatja Iseini. Mirëpo, ajo mes tjerash shton se çdo bartës i një funksioni shtetëror, ka përgjegjësi penale ndaj veprime respektivisht mosveprimeve ligjore që ia përcakton funksioni.
Maqedonia nuk i heton veprat e kundërligjshme të policisë
Pa dyshim se Zyra e Avokatit të Popullit në Shkup, është organi shtetëror i cili gjatë tërë kohës, nga mediat, kanë marrë informacione për dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të “Grupit të Kumanovës” dhe ka reaguar deri tek institucionet përkatëse, përfshi MPB dhe prokurorinë. “Shumë herë, me keqardhje, e kam shprehur qëndrimin e Institucionit në lidhje me efikasitetin dhe kualitetin e hetimeve ndaj brutalitetit policor nga ana e Prokurorisë Publike. “Për fat të keq, unë tanimë kam konstatuar se në Maqedoni nuk ka hetim efektiv ndaj veprimeve të kundërligjshme të policisë. Këtë e dëshmojnë provat e grumbulluara nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit për më tepër raste dhe përfundimi i procedurave hetimore nga ana e Prokurorisë Publike. Asnjë nga rastet e ngritura nga Avokati i Popullit nuk e ka marrë epilogun e merituar. Të gjitha vendimet e Prokurorisë Publike, me të cilat hidhen poshtë kallëzimet e Avokatit të Popullit, jo që nuk janë profesionale, por në disa raste janë selektive, bile edhe qesharake. Këtë konstatim të tonin, tanimë e kemi të vërtetuar edhe me Aktgjykim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, e cila konstaton se Maqedoni nuk udhëheq hetime efektive ndaj veprimeve policore”, ka thënë Avokati i Popullit,Ixhet Memeti për gazetën KOHA. Njëherit nga kjo zyre kanë deklaruar se atas nga afër e kanë përcjellë zhvillimet, gjegjësisht tortura që janë bërë ndaj të akuzuarve për ngjarjet ne Lagjen e Trimave. Sipas tyre, kallëzime penale nga përfaqësuesit e Ombudsmanit të Maqedonisë, janë ngritur si në Prokurorinë e Shkupit, po ashtu edhe në atë të Manastirit. Sidoqoftë, ata na njoftuan se për disa nga kërkesat e tyre, ende nuk ka marrë informatë për statusin përfundimtar të tyre, por vetëm është informuar se procedura vazhdon. Avokati i Popullit gjatë kohës sa zhvillohet procesi gjyqësor për rastin e Kumanovës, ka ngritur 9 procedura deri tek organet përkatëse, edhe atë me vetiniciativë duke u bazuar në informatat nga mediat dhe disa me kërkesë të personave të paraburgosur. Një pjesë e këtyre denoncimeve, siç njoftojnë ata, kanë pasur të bëjnë me shërbimin mjekësor që u është ofruar këtyre personave të paraburgosur.
”Përderisa deri para tre vitesh në raportet e mia ka konstatime se sistemi i shërbimeve mjekësore nëpër burgje është i keq, prej tre vite e këtej, konstatoj se ai sistem është plotësisht i rrënuar. Këtë konstatim timin tashmë mund ta lexoni edhe në Progres Raportin e Bashkimit Evropian për Republikën e Maqedonisë”, ka thanë Memeti. Në cilësinë e organit që angazhohet për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, nga zyra e Ombudsmanit, kanë kërkuar që në mënyrë urgjente të vendoset sistem i mirëfilltë dhe funksional i shërbimeve mjekësore nëpër burgje në Maqedonisë. Ndryshe, sa i përket dhënies së ndihmës mjekësore për të paraburgosurit nga “Lagjja e Trimave”, ata konstatuan shkelje të të drejtave të tyre, për çka kanë bërë rekomandime që edhe jashtë hapësirave të burgjeve t’u jepet shërbimi mjekësor. Lidhur me këtë çështje ata potencojnë se disa nga këto rekomandime janë pranuar dhe u është mundësuar marrja e ndihmës mjekësore edhe nëpër klinika.
Konstatohet një keqtrajtim
Kontrolli i brendshëm në kuadër të Ministrisë për Punë të Brendshme, sipas ministrit Agim Nuhiu, ka konstatuar se ndaj njërit prej personave të paraburgosur për “Lagjen e Trimave” është ushtruar keqtrajtim nga një pjesëtar i njësive speciale. Në prononcimin e tij për gazetën KOHA, ai tha se deri te ky përfundim kanë ardhur pas realizimit të bisedave informative me pjesëtar të njësisë speciale, gardianëve të burgjeve dhe qytetarëve okular. “Në bazë të këtyre të dhënave, unë bashkërisht me drejtuesit e kontrollit të brendshëm, e kemi njoftuar Prokurorinë Publike, me gjendjen të cilën paraprakisht e kemi konstatuar, ku janë përfshirë deklaratat e gardianëve të burgut. Tash e tutje, i ngelet Prokurorisë Publike që të zhvillojë hetime të mëtutjeshme dhe të vërtetojë se vallë ka pasur elemente të veprës penale nga pjesëtarët e njësisë speciale apo jo”, tha Nuhiu.