U anulua fillimi i gjykimit për arrestimin e Lube Boshkovskit për të cilin Prokuroria Speciale ka ngritur kallëzim për torturë. Gjykata Penale pret vendimin e Apelit pas ankesës së PSP-së. Nga ekipi i Katica Janevës u ankuan për vendimin e gjykatëses Monika Bahçovanovska e cila ishte e prerë se nuk ka bazë që penalisht të ndiqet ish drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, si porositës eventual i arrestimit brutal të Boshkovskit. Në sallë u paraqitën gjashtë policët, pjesë e njësitit “Alfa”, të cilët para shtatë viteve e arrestuan Boshkovskin para restorantit “Vodenica” në Shkup. Ata kërkuan të mos incizohen në sallë pasi edhe më tej punojnë në MPB. Megjithatë, gjatë daljes nga gjykata, ish shefi i njësitit “Alfa”, Ivica Ançevski – Puki ka përshëndetur kamerat me dorë.
Boshkovski refuzoi të komentojë nëse për arrestimin e tij duhet të përgjigjet edhe Sasho Mijallkovi. Shtoi se nuk ndjen ndonjë nevojë të veçantë që ta shohë. Për herë të parë ai i pa edhe policët që e arrestuan para shtatë viteve.
Po i shohë për herë të parë pas shtatë viteve. Janë personat e njëjtë. Tani nuk janë aq të disponuar si atë ditë kur e kryenin detyrën nga urdhërdhënësi, shefi i tyre dhe shefi i e atëhershëm i DSK-së – tha Lube Boshkovski- kryetar i “Të Bashkuar për Maqedoni”.
PSP-ja lëndën e ka formuar mbi bombat e publikuara të LSDM-së ku rreth arrestimit bisedonin ish ministrja Jankulloska dhe zëdhënësi i atëhershëm i policisë.
“Mundet një shtrirje në asfalt, por Puki ose dikush tjetër i kanë vendosur pistoletë në gojë… Ata le të mos i tregojnë… Ndërsa shtrirjen në asfalt mundet… Po bre, po”.
Seanca e radhës për rastin “Tortura” do të vazhdojë më 23 mars. Apeli për Alsat M konfirmoi se deri atëherë do të merret vendimi lidhur me ankesën e Speciales, nëse Sasho Mijallkov do të jetë pjesë e akuzës ose jo. Specialja e ndjek ish shefin e policisë sekrete se ka krijuar plan operativ për arrestimin e Boshkovskit ndërsa njësiti “Alfa” deri në fund e ka kryer detyrën në mënyrë brutale.
https://youtu.be/tZjK_z-NO48