Ndërsa qytetarët përballen me sfida ekonomike dhe mungesë të shërbimeve bazë, qeveria ngre shqetësimin për mungesën e një avioni luksoz qeveritar. Drejtori i Shërbimit të Punëve të Përgjithshme të Qeverisë, Ivica Tomovski, shpreh pakënaqësinë për “Learjet”-in ekzistues, duke theksuar nevojën për një avion më të madh dhe më modern për udhëtime shtetërore.
“Nëse duam të jemi një vend serioz, duhet të kemi një avion të përshtatshëm, domethënë një aeroplan qeveritar të përshtatshëm, dhe nuk duhet të biem në nivelin që vendet fqinje të na marrin me aeroplanët e tyre kur duhet të shkojmë diku me delegacione të përbashkëta”, thotë drejtori i Shërbimit të Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, Ivica Tomovski.
“Learjet”-i që kemi aktualisht nuk i plotëson nevojat e shtetit dhe ka kosto të larta mirëmbajtjeje, pasi pjesët rezervë nuk prodhohen më. Kjo është arsyeja pse ne përdorim pjesë të riparuara dhe nga viti 2017 deri më sot, janë shpenzuar rreth katër milionë euro për shërbime, gjë që nuk do të ishte rasti për një avion të ri. Nëse do të bënim udhëtime më të gjata, do të na duhej një aeroplan më i madh me të paktën 14 vende, ndryshe nga ky që ka gjashtë. Me një fjalë, Learjet është shumë i vogël”, tha Tomovski në një intervistë për “Kanal5”.
Ai tha gjithashtu se qeveria e mëparshme donte të blinte një avion të ri dhe ishte në një fazë të avancuar negociatash me prodhues të ndryshëm, por e fshehu këtë nga opinioni.