Një tjetër skandal po e trondit ndërmarrjen publike “Ujësjellës dhe kanalizim”. Drejtori i kësaj ndërmarrjeje Aleksandar Atanasov e ushtron këtë funksion duke qenë me arsim fillor, akuzojnë nga Sindikata e punëtorëve të hotelerisë, turizmit dhe zanatçinjve. Funksionin e drejtorit e ka fituar me diploma të pavlefshme për arsim të mesëm dhe universitar, të cilat ai i ka marrë jashtë vendit, ndërsa të njëjtat nuk janë të pranuara në vend. Nga sindikata dolën me dokumente në të cilat vërehet se Atanasovit qeveria nuk ia ka pranuar diplomat. Sindikalistët tani publikisht pyesin se në çfarë mënyre Atanasov është emëruar drejtor i ndërmarrjes publike “Ujësjellësi”, kur ai nuk i ka përmbushur kriteret elementare. Kryetari i sindikatës SUTKOZ Darko Dimovski deklaroi se nga kryetari i Qytetit të Shkupit do të kërkojë që Atanasov të shkarkohet nga funksioni i drejtorit të përgjithshëm të ndërmarrjes publike.
“Veçanërisht i bëj thirrje kryetarit të Qytetit të Shkupit zotit Koce Trajanovski i cili ka edhe mundësi ligjore që menjëherë ta shkarkojë zotin Aleksandar Atanasov. Shkarkimin e tij ne do ta kërkojmë edhe në rrugë gjyqësore. Ai e ka ditur se diploma e tij është joadekuate dhe e papranueshme këtu, por megjithatë ai ka vazhduar fshehurazi ta ushtrojë funksionin e drejtorit”, u shpreh Darko Dimovski, Kryetari i Sutkoz.
Sindikalistët akuzojnë edhe për shkarkime të paligjshme nga puna, dënime dhe degradim në kompani. Daut Saliu, është njëri nga të shkarkuarit nga puna. Siç thotë, në këtë kompani ka punuar mbi 30 vjet, ndërsa sipas tij, ai tani ka mbetur pa punë për arsye se nuk është mbështetës i VMRO-DPMNE-së.
“Pa asnjë bazë ligjore, nga kompania janë përjashtuar 10 persona. Vendimi është marrë për dy ditë. Brenda në kompani ai ka krijuar ekip i cili i ndihmon. Kush nuk është me VMRO-në duhet të largohet”, tha Daut Saliu, I pushuar nga N.P. “Ujësjellsi”.
Nga Qyteti i Shkupit kërkuam shpjegim se kush është kompetent për punësimet dhe emërimin e drejtorëve në kompanitë publike. Për TV21 thonë se nuk janë të njoftuar me këtë rast dhe do të kontrollojnë në shërbimin e tyre juridik.
Përndryshe, Atanasov, shkollimin e lartë e ka përfunduar në kolegjin amerikan me studime të disperzuara në Greqi. Por Kolegji “Stejt Empajër” nuk figuron në listën e Shangajit të 500 universiteteve të para në botë, dhe prandaj diploma e tij është e pavlefshme që ai të punojë në institucion shtetëror në Maqedoni.
Të pushuarit nga puna pohojnë se drejtori i ndërmarrjes publike “Ujësjellësi” tani në mënyrë shtesë nuk mund ta ushtrojë funksionin e drejtorit, për shkak se akuzohet me kusht. Drejtorin Atanasov tentuam ta kontaktojmë, por deri në fillimin e këtij edicioni informativ, ai nuk iu përgjigj thirrjeve tona.