Një fitore me “poker” golash për të “vrarë” frikën, një fitore kundër një rivali direkt për të marrë pak frymë në një moment shumë delikat. Tirana “thyen” Laçin me rezultatin 4-1, një sukses jashtëzakonisht i rëndësishëm që i largon provizorisht bardheblutë nga “zona e kuqe”.
Ekipi i Bledi Shkëmbit shfaqi karakter dhe një lojë të mirë, mbi të gjithë në aspektin ofensivë, t’i shënosh 4 gola Laçit nuk është e thjeshtë. Pas një pjesë të parë të ekuilibruar, e mbyllur në shifrat 1-1, në fraksionin e dytë, Tirana mori totalisht kontrollin e lojës duke realizuar edhe 3 gola të tjerë duke bërë që në fund të festojnë, por jo plotësisht, të vetëdijshëm se asgjë nuk ka përfunduar.
Tetë javë përpara sezonit të rregullt, Tirana e sheh veten në vendin e 8-të në kuotën e 29 pikëve, 1 më shumë se Teuta dhe plus 2 në raport me vendin e fundit, Skënderbeun.
Situata sa vjen e ndërlikohet për ekipin kryeqytet pasi kalendari në dy javët e ardhshme i rezervon dy përballje të forta, fillimisht luajnë në klasike përballë Vllaznisë, ndërsa më pas udhëtojnë në transfertë kundër Egnatias, ekipit kryesues.