Institucionet e shtetit, Parlamenti dhe Qeveria duhet të stabilizohen dhe të fillojnë të funksionojnë si parakusht për daljen nga kriza. Kështu ka deklaruar ambasadori francez në Maqedoni, Kristian Timonie në emisionin “Arena” në TV SHENJA.
Ai ka thënë se për bashkësinë ndërkombëtare nuk është me rëndësi se kush formon Qeverinë, por formimi i institucioneve dhe zbatimi i reformave.
“Çështja e parë është dëshmimi i asaj se Maqedonia është një shtet funksional. Pra, Parlamenti i saj duhet të funksionojë, po ashtu institucionet e qeverisjes lokale, sepse tani parashtrohet dhe çështja e zgjedhjeve lokale, prandaj nuk mund të mbesin pa bashkëbisedues për të ndërmarrë hapat e reformave, sepse nuk bëhen reformat formale thjesht në ajër, por reforma të mirëfillta, çfarë do qofshin ato, më rrethana të volitshme apo jo të volitshme, pra thjesht duhet që shteti të vihet në lëvizje”, ka deklaruar Kristian Timonie, ambasador i Francës në Maqedoni.
Ai shtoi se “ekziston një listë e tërë e reformave e po ashtu edhe e njerëzve që do të jenë në gjendje t’i bëjnë këto reforma si dhe të marrin vendin e tyre për kryerjen e përgjegjësive. “Në Maqedoni nuk ekziston problemi intelektual për këtë, por ekziston thjesht problemi i një vullneti politik”, tha ambasadori Timonie.
Duke folur për partitë shqiptare, Timonie tha se ata duhet të mos mendojnë vetëm “për ndarjen e tortës” por edhe për interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Ai tha gjithashtu se duhet të arrihet drejtësia për të gjitha padrejtësitë ndaj shqiptarëve, qoftë nëse ka dyshime për një gjë të tillë.
“Partitë shqiptare duhet të flasin me partitë maqedonase, që të gjejnë kuptimin e interesit të përgjithshëm, e poashtu ka edhe shumë padrejtësi që duhet të riparohen qoftë ato reale apo të konsideruara, por pikënisja duhet bërë nga interesi i përgjithshëm, i cili nuk është koleksion i interesave të veçanta, e në anën tjetër nëse është thjesht zanati për të ndarë tortën, mendoj se nuk duhet bërë politikë me këtë”, tha më tej ambasadori Timonie.
Ambasadori Timonie shtoi se politikanët shqiptarë duhet të arrijnë marrëveshje jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e komunitetit të tyre, por edhe për interesin e përgjithshëm të shtetit dhe shoqërisë.
Timonie: Partitë të mendojnë për qytetarët, jo… by tvshenjaofficial