Maqedonia është në rrugën e duhur për të qenë një shembull i suksesshëm për rajonin dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luajnë një rol pozitiv në stabilitetin dhe përparimin e rajonit si dhe do të kërkojmë mënyra për të ndihmuar, tha të enjten Ministri i Jashtëm i SHBA’ve Reks Tillerson, përcjell Almakos.
Tillerson mbështeti agjendën e reformave në Maqedoni, duke i kërkuar qeverisë të këmbëngulë në zbatimin e saj.
Takimi i fundit i kreut të diplomacisë maqedonase me sekretarin e shtetit të SHBA u zhvillua në vitin 2008, kur ministri i jashtëm Antoni Milloshovki u takua me ish sekretaren e shtetit të SHBA’ve Kondoliza Rajs.
Dimitrov referoi për situatën aktuale politike në Maqedoni dhe rajonin si dhe i prezantoi Tillersonit zhvillimet aktuale në procesin e tejkalimit të mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë.
“Maqedonia është mik dhe partner i Shteteve të Bashkuara, jemi të bindur se me ndihmën tuaj, udhëheqjen dhe mbështetjen e aleatëve evropianë, së shpejti do të bëhemi pjesë e familjes së NATO-s. Përkushtimi dhe përcaktimi ynë është i madh dhe ne synojmë të përdorim këtë mundësi që na është dhënë”, tha Dimitrovi.
Duke informuar për reformat në Maqedoni, Dimitrov theksoi se vendi dëshiron të ndërtojë institucione të fuqishme dhe demokratike, ta përforcojë qeverisjen e së drejtës dhe ta bëjë Maqedoninë anëtare të dëshiruar fuqiplote në bashkësinë euroatlantike”.
Lufta në kontributin e Maqedonisë për ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare dhe luftës kundër terrorizmit Dimitrov ripohoi angazhimin e vendosur të qeverisë për të rritur gradualisht buxhetin e mbrojtjes në përputhje me kërkesat e Aleancës.
Në kontekstin e marrëdhënieve me fqinjët dhe situatën në rajon, Dimitrov nënvizoi se “dështimi për të zgjidhur problemet sjell përgjegjësi politike”.
Ministri i Jashtëm maqedonas u takua edhe me ekspertë rajonalë Daniel Server, Edward Joseph dhe Mike Hultel, si dhe me Damon Wilson të Këshillit Atlantik të Shteteve të Bashkuara, të cilët shkëmbyen mendime mbi situatën aktuale dhe perspektivat e rajonit.
Gjatë ditës së fundit rreth vizitës në Uashington, Dimitrov do të takohet me këshilltarin e sigurimit kombëtar të Presidentit Trump, H.R. McMaster, përfaqësues të Kongresit të SHBA’ve dhe ish Sekretaren e Shtetit të SHBA’së Madeleine Albright./Almakos

