27 Shkurt
Për aq kohë sa përbërja e koalicionit të ardhshëm qeveritar mbetet e paqartë, edhe Kuvendi mbetet pa numrin një të tij, i cili sipas Kodit Zgjedhor, më së voni të hënën, duhet të shpallë zgjedhjet e rregullta lokale. Nga KSHZ-ja thonë se data e fundit për shpalljen e zgjedhjeve lokale është 6 marsi, për t’u respektuar afati ligjor që zgjedhjet të mbahen në gjysmën e parë të muajit maj.
Kodi Zgjedhor parashikon që zgjedhjet për kryetar komune dhe anëtar të këshillave komunal mbahen çdo katër vite, njëkohësisht në të gjithë komunat në gjysmën e parë të muajit maj. Përderisa zgjedhjet do të mbaheshin të dielën, ajo do të ishte 7 ose 14 maji, kurse në pajtim me Kodin Zgjedhor i cili parashikon se që nga dita e shpalljes deri në ditën e realizimit të zgjedhjeve nuk mund të kalojnë më pak se 70 ditë dhe as më pak se 90 ditë, kjo nënkupton që diku më 6 mars është afati i fundit i shpalljes së zgjedhjeve – deklaroi Lupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.
Sipas Kodit Zgjedhor, pas shpalljes së zgjedhjeve lokale nga kreu i Kuvendit, fillojnë të rrjedhin edhe afatet për përgatitjen e zgjedhjeve dhe realizimin e tyre. Profesori Nikolla Dujovski, mendon se partitë tashmë janë marrë vesh për këtë pjesë, zgjedhja e kryeparlamentarit të ri do të bëhet ditëve në vijim dhe po të njëjtën ditë mund të shpallën edhe zgjedhjet. Shtyrja e zgjedhjeve lokale do të kërkonte ndryshimin e Kodit Zgjedhor, proces i cili mund ta komplikojë situatën.
Pres që në ditët në vazhdim të kemi disa zhvillime që do të çojnë edhe drejt zgjedhjes së kreut të Kuvendit. Nëse presidenti, sot, nesër ose pasnesër i jep mandatin për formimin e Qeverisë së re, Zoran Zaevit, kjo do të thotë se ai do të ketë rrugë të hapur që në afate të shkurtuara të bëjë marrëveshjen edhe për kreun e Kuvendit. Mjafton të zgjidhet kreu i Kuvendit dhe formalisht ai në të njëjtën ditë mund t’i shpallë zgjedhjet. Por përderisa kjo nuk ndodh atëherë mund të presim periudhë me obstruksione të tjera. Përderisa do të jetë i nevojshëm ndryshimi i Kodit Zgjedhor, atëherë mund të presim edhe shumë zhvillime të tjera të cilat në këtë moment as nuk mund t’i parashikojmë – tha profesori Nikolla Dujovski.
Gjatë negociatave, partitë akoma nuk pranojnë të kenë diskutuar për poste, përfshirë këtu edhe atë të Kreut të Kuvendit. Megjithatë funksionarë të partisë së Ahmetit që nga fillimi i negociatave, kanë deklaruar se është koha që legjislativi të udhëhiqet nga një kuadër shqiptar. Ndërkohë, me përditësimin e Listës Zgjedhore pas zgjedhjeve parlamentare, rreth 30 mijë votuesit e kontestuar do të rifitojnë të drejtën e votës. Zgjedhjet e kaluara lokale në Maqedoni, janë realizuar më 24 mars të 2013-ës.

