Pagesa e kryer në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit “Për buxhetin e shtetit” u bë objekt i protestës, i mediave prestigjioze ndërkombëtare, i një padie në Gjykatën Kushtetuese për të anuluar Aktin Normativ dhe objekt i një kallëzimi penal në SPAK.
Ditën e hënë, menjëherë pas këtyre reagimeve dhe veprimeve ligjore në organet e drejtësisë, Edi Rama, që e di se ka kryer “krim financiar” kundër buxhetit të shtetit dhe fondit të emergjencave, ka nxituar të shmangë barrën e përgjegjësisë administrative e penale, me një abuzim tjetër.
Informacioni i ardhur në “Pamfleti” nga burime brenda Ministrisë së Financave bën me dije se kryeministri Edi Rama i ka dhënë urdhër ministrit Petrit Malaj të krijojë mundësi urgjente për të zëvendësuar në rezervën e shtetit fondet që dhuroi për koncertin e këngëtarit Kanye West.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka filluar të zbatojë me urgjencë urdhrin e kryeministrit, duke bashkëpunuar me ministren Mirela Kumbaro dhe ministrin Andis Salla, duke bërë një mashtrim financiar me fondet e këtyre dy ministrive.
Ditën e martë, është kryer procedura për të kaluar në Fondin Rezervë të Shtetit për zërin “Emergjencat” vlerën 5 miliardë lekë të vjetra, konkretisht, 2.2 miliardë lekë të transferuara nga Ministria e Arsimit dhe 2.8 miliardë lekë nga Ministria e Bujqësisë.
Këto janë trajtuar si “fonde të papërdorura për arsye objektive” në sektorin e arsimit dhe të bujqësisë për 6-mujorin e parë të vitit 2026, por është mashtrim që zbulohet nga dy fakte:
Së pari, bilanci i pritshëm i mosrealizimit të fondeve nga ministritë nuk bëhet në mes të vitit buxhetor, por në fund të vitit gjatë hartimit të buxhetit për vitin pasardhës.
Së dyti, sektori i arsimit dhe i bujqësisë, jo vetëm nuk kanë fonde të papërdorura gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026, por kanë nevojë për fonde shtesë të menjëhershme.
Nuk do shumë mendje të kuptohet që transferimet e këtyre 5 miliardë lekëve në Fondin Rezervë të Shtetit nuk kanë lidhje me mospërdorimin nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Bujqësisë, por për të zëvendësuar 4.8 miliardë lekët që Edi Rama dhuroi për koncertin e Kanye West.
Ky veprim është makinacion i “trimit” Edi Rama për të shpëtuar veten nga përballja penale, por pa asnjë vlerë për buxhetin e shtetit, sepse pagesa për koncertin u bë me urgjencë nga ministri Blendi Gonxhe, 1 ditë pas daljes së Aktit Normativ.
Me numër 861 në Regjistrin e Pagesave të Thesarit, më 7 korrik 2026, vërtetohet se me Urdhër Pagese Nr. 7330/4 dhe Marrëveshje Nr. 7330/3, të dyja më 7 korrik e të firmosura nga ministri Blendi Gonxhe, kompanisë shqiptare “Redcloud” me pronar Klodian Makashi, i janë transferuar 4.8 miliardë lekë me TVSH nga fondi i emergjencave, për koncertin e Kanye West.
Këto miliarda janë zëvendësuar në Fondin Rezervë të emergjencave me fondet që i janë hequr sektorit të arsimit dhe bujqësisë./ Pamfleti



