Analizë
LSDM pret që mandati t’i jepet liderit të saj Zoran Zaev për formimin e Qeverisë së re. Por, të njëjtën nuk e mendon presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov. Për stërzgjaten e procesit për formimin e Qeverisë së re njohësit e rrethanave fajësojnë VMRO-DPMNE-në dhe Bashkimin Demokratik për Integrim.
Sipas gazetarit Arben Zeqiri, pengesa kryesore për formimin e Qeverisë së LSDM-së janë politikanët e korruptuar nga VMRO dhe BDI.
“Ata që pas zgjedhjeve kanë marrëveshje për obstruksione dhe pengesa. Pjesë e këtij skenari ishte edhe tendenca e BDI-së që LSDM ta pranojë platformën para se t’i japin nënshkrimet për ta marrë mandatin. Kjo u bë që VMRO-së t’i jepet një argument që të protestojë dhe Ivanovi mos të ja jep mandatin LSDM-së. Tash ka skenar tjetër që LSDM-së ti bëhet presion ta refuzojë platformën e shqiptarëve dhe BDI të mos pranojë koalicion dhe të shkojnë në zgjedhje të reja. Por faktori ndërkombëtarë nuk e lejon këtë skenar dhe në fund do ta detyrojnë BDI-në që të hiqet nga platforma dhe të hyjë në koalicion me LSDM-në” pohoi Zeqiri.
Analisti politik Qenan Aliu konsideron se ishin disa faktorë që sollën këtë stërzgjatje duke përfshirë këtu edhe taktizimet e stërzgjatje nga ana e BDI-së me gjoja analizat dhe shqyrtimet maratone dy muajshe.
“LSDM-ja dhe partitë tjera me gjithsej 67 mandate siç dihet kanë konfirmuar shumicën parlamentare me kërkesën e presidentit Gjorgje Ivanov. Involvimi i presidentit Ivanov në skemën e partisë së tij VMRO-DPMNE për sabotimin e procedurës për dhënien e mandatit ka shpërfaqur këtë ngërç të procedurës. Kuptohet Ivanov veproi me dy standarde dhe plotësisht duke shkelur kushtetutën. Madje, jam i mendimit se shpalosja e faktit nga ana e sekretarit të LSDM-së Oliver Spasovski se Gruevski kuptohet në sinkronizim me Ivanovin kabinetin e tij me shkrim e ka njoftuar se ka siguruar shumicën parlamentare me Bdi-në si partner permanent dhe aktual. Pas dy ditëve të shpërfaqjes së këtij momenti BDI nuk ka prononcim zyrtar se kjo ka qenë një manipulim dhe falsifikim nga Nikolla Gruevski, edhe pse Ivanov është dashur ta konfirmoj me partnerët atë njoftim me shkrim. Por, nuk përjashtohet mundësia kjo të kishte qenë një taktizim në heshtje nga ana e BDI-së. Mendoj koha po, ikë ndërsa gjuha e urrejtjes po rritet.
Nga këndvështrimi i opinionistit Sulejman Mehazit, është normale e logjikshme dhe shumë e dukshme është se pjesë e mosbërjes së Qeverisë së re të udhëhequr nga Zaevi është dhe BDI-ja.
“Është e pamundur që të korruptuarit mos e ndihmojnë njëri tjetrin. Pastaj një argument bashkëpunues është dhe deklarata e Ali Ahmetit për dhënien e topit Ivanovit. Ai e dinte se problemi i krijimit të Qeverisë së re do bëhet kryetari i shtetit Ivanovi. Dy, BDI-ja frikohet nga Prokuroria Speciale, njësoj si VMRKO-ja. Pika më e trishtuar për të dy, Gruevskin dhe Aliun, është Prokuroria Speciale. Pastaj dyshimi i BDI-se është edhe pasi të krijohet Qeveria e re, pas një apo dy muajve qeverisje me Zaevin, Aliu për pikë politike mund të largohet nga qeveria e re dhe të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare”, deklaroi Mehazi