Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka mirëpritur emërimin e ambasadorit amerikan në Gjermani Richard Grenell si të dërguarin e posaçëm të Donald Trump në bisedimet e paqes midis Kosovës e Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook,D Thaçi ka shkruar se ky është një dëshmi që shteti amerikan qëndron pranë Kosovës në këtë hap të rëndësishëm.
“E mirëpres emërimin e Ambasadorit Richard Grenell si i dërguar i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi. Ky emërim është një tjetër dëshmi që Presidenti Trump, administrata amerikane, tërë shteti amerikan, qëndrojnë pranë nesh në çdo hap të rëndësishëm. Tash jemi edhe më konfident në procesin e dialogut dhe në mundësinë që të arrijmë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, dhe kështu ta përmbyllim konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë. Ky është lajm i mirë edhe për rajonin si dhe të gjithë ata që angazhohen për paqe të qëndrueshme, për zhvillim, për jetë më të mirë për të gjitha shtetet në Europën Juglindore. E kemi thënë gjithmonë dhe besojmë gjithmonë se jemi me fat që kemi përkrah Shtetet e Bashkuara të Amerikës. HTH”, përfundon ai.
Presidenti Donald Trump ka caktuar Ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin e tij për bisedimet e paqes Kosovë-Serbi.
Lajmi i dhënë nga Shtëpia e Bardhë, të enjten në darkë, 4 tetor, nuk ndryshon statusin e Grenellit që do të vijojë të jetë ambasador në Berlin./GazetaExpress/