Dhjetë raste të reja me COVID-19 janë regjistruar në komunën e Tearcës dhe Bogovinës ditën e sotme, dhe sipas informacioneve bëhet fjalë për raste kontakti nga dy klasterë të njohur.
‘Janë regjistruar 10 raste të reja me COVID-19, dhe këto raste nuk janë nga komuna e Tetovës, por 6 raste janë nga komuna e Tearcës dhe 4 nga komuna e Bogovinës.Siç u informuam nga autoritetet shëndetësore, ka dy klasterë të njohur që të dy rastet lidhen me dy familje të cilat edhe më parë kanë pasur raste pozitive’,tha Arifi.
Kryetarja Arifi, theksoi se në mbledhjen e sotme të Shtabit të Krizës, me përfaqësues të Spitalit Klinik të Tetovës dhe të SPB-së, u diskutua rreth situatës pas karantinës tri ditore, dhe poashtu për transportin ndërurban dhe hapjen e çerdheve.
“Presim që Komisioni për Sëmundje Ngjitëse përfundimisht të aprovojë edhe kërkesën tonë, tanimë të përsëritur për sa i përket transportit të organizuar ndërurban.Pas skriningut në çerdhen e Tetovës fatmirësisht të punësuarit kanë rezultuar negativ, që do të thotë se mund të vazhdojnë protokollet e tjera konform protoklit për fillimin me punë të çerdhes së fëmijëve”, ka thënë Arifi.
Ndërkaq, sa i përket shkeljeve të regjistruara në tre ditët kur qyteti ka qenë në karantinë, nga MPB informojnë se në Tetovë dhe komunat përreth janë regjistruar 37 shkelje të ndalim-qarkullimit.



