Analizë: Almakos .com
Teuta Arifi nuk është e vetmja që vepron në një parti shqiptare, por që politikisht është rritur në kabinetet qeveritarë dhe në shtratin partiak të LSDM’së. Edhe atë duke filluar që nga kabineti i Gyner Ismailit, si Ministër i Informacionit, e deri te ai i Ljubomir Frërçkovski si Ministër i punëve të jashtme.
Pa dyshim se nuk ka gjë të keqe nga kjo pjesë e biografisë së saj. Siç nuk ka asnjë të keqe edhe në pjesën e saj biografike si gazetare, apo si aktiviste e sektorit civil. Përkundrazi: te ne shqiptarët çmohet lartë kur të të kenë vlerësuar dhe kur të të kenë lëvduar VIP-at maqedonas, por nuk merret thuajse për asgjë punë kur të vlerëson lartë, apo kur të thurë elozhe ndonjë shqiptarë. Gjë që më së miri e shpalos mendësinë tonë inferiore dhe vasale.
Dhe rasti i Teuta Arifit nuk shpërfaq vetëm fenomenin se si shumë politikanë tanë janë nga ata që me lugën maqedonase hanë në sahanin e partive shqiptare, por shpalosë një të vërtet tjetër të dhembshme: se jo vetëm dikur, por edhe sot, qarqet politike maqedonase janë ato që neve na i përzgjedhin si ‘heronjtë’ po ashtu edhe ‘tradhtarët’. Dhe këtë e bëjnë pse ne nuk kemi parti të hairit shqiptare, apo pse edhe ato që i kemi, janë të drejtuara nga mendësia vasale: më shumë i besojnë partnerit politik maqedonas, se sa vetvetes.
Po pra, Teuta Arifi u rrit si vlerë e LSDM’së dhe mbeti kuadër i kësaj partie. Andaj partia e Zaevit sot është duke bërë çmos që Teuta Arifi ta fitojë edhe një mandat të vetin si kryetare e Komunës së Tetovës dhe ta mposhtë Billal Kasamin e Lëvizjes Besa. Me çka edhe shtohen zërat e atyre që thonë se me fitoren e Teuta Arfit në Tetovë, LSDM’ja arrin qëllim të dyfishtë: e ndihmon një kudër të vetin dhe e forcon BDI’në. E me forcimin e BDI’së, thonë njohësit e rrethanave politike në Maqedoni, LSDM’ja e dobësohet indin politik shqiptarë dhe e shtonë numrin e të rinjve tetovarë që do e braktisin vendlindjen./Almakos.com

