Dyer që nuk mbyllen, xhama të thyer dhe mungesë preparatesh higjienike, këto janë kushtet e shkollës fillore periferike, “Naim Frashëri” të fshatit Senakos. Përgjegjësi i Shkollës, që njëkohësisht është edhe arsimtar, thotë se shkolla e Senakosit është lënë tërësisht pas dore, si nga shkolla qendrore, po ashtu edhe nga komuna e Vrapçishtit.
Kemi pasur pengesa, kemi kërkuar ndihmë prej shkollës qendrore, por kemi hasur në vesh të shurdhër dhe morëm iniciativë vet për meremetimin e dyerve. Nuk mbyllen këta, shpresojmë të rregullohet dhe presim ndihmë prej shkollës qendrore dhe prej komunës – deklaroi Rami Ismaili, përgjegjësi i shkollës.
Drejtori i shkollës Qendrore të Negotinës, pranon se në shkollën e Senakosit për herë të fundit është investuar para katër vitesh, edhe atë në rregullimin e tualeteve, të cilët për momentin janë gjendje të rëndë.
Për herë të fundit në shkollën e Senakosit është investuar para katër apo pesë viteve pra është bë rregullimi i banjave që kanë qenë në gjendje më të keqe pra është intervenuar që të rregullohen. Për punën e dyerve kemi bërë kërkesë deri tek komuna dhe ministria e Arsimit por nuk kemi pasur përgjigje pozitive për ti rregulluar edhe pse si prioritet për Shkollën e Senakosit janë dyert – tha Isen Demiri. Drejtor i Shkollës Qendrore “Naim Frashëri”.
Të kontaktuar për problemin në fjalë, në komunën e Vrapçishtit thonë se kërkesë të tillë zyrtarisht nuk ka pasur. Të njëjtën përgjigje e morëm edhe nga ministria e Arsimit e Maqedonisë.
“Kërkesë zyrtare për ndonjë projekt të tillë nuk kemi pasur, as nga komuna e as nga Shkolla. Do të bëjmë inspektime në shkollë dhe do të marrim masat e duhura” – u shprehën nga Ministria e Arsimit.
Nga ana tjetër, prindërit ankohen se, nëse nuk rregullohen dyert e klasave, tualeteve dhe xhamat e thyer do të bojkotojnë procesin mësimor dhe nuk do të lëshojnë nxënësit në shkollë.
“Nga udhëheqësia e shkollës ka informata se do ti ndalojnë fëmijët nëse komuna nuk merr masa për ti rregulluar”.
“Me iniciativën e kryetarit të këshillit të prindërve mendojmë që po”.
Ndryshe, shkolla periferike “Naim Frashëri” e fshatit Senakos, ka gjithsej 250 nxënës.
Bashkim Sulejmani

