Alsat 2019-05-18T16:38:43+02:00
Mungesa e vendeve adekuate për parkimin e furgonëve që bëjnë transportin publik në Tetovë, shpesh krijon bllokime rrugësh, trotuaresh madje edhe parkime mbi urë që është rreptësisht e ndaluar. Në Tetovë ka një numër të madh furgonësh që zhvillojnë transportin publik drejt fshatrave Pirok, Jazhincë e Zhelinë.
Drejtuesit e furgonëve shprehen se këtë e bëjnë nga halli se nuk kanë vendin e caktuar nga komuna se ku të parkohen. Por edhe ato pak vende që janë caktuar për taksitë, thuajse asnjëherë nuk janë të lira pasi uzurpohen nga makinat private.
“Këtu ne dalim nga halli, ja ka ardhur policia, kur ka polic ne radhitemi por po të mos ketë polic kjo ura mbushet deri tek semafori atje”.
“Normal, normal na duhet një vend patjetër”.
“Ne e kemi vendin këtu të parkohemi tek shenja por krejt na bllokojnë privatët. Po duhet një vend, por më të mirë se ky s’gjejmë dot neve, këtu jemi në qendër të qytetit”.
Kjo tollovi i pengon kalimtarët, por jo vetëm. Pengesa më të mëdha kanë institucionet për rreth vendit ku parkohen furgonët, të cilave shpesh iu bllokohet edhe dera hyrëse.
Me këtë problem të madh ballafaqohemi jo tani, por gati 11 vjet, që kur unë jam i punësuar në këtë institucion. Është problem i madh shkaku se na pengohet funksionimi si duhet hyrja, qarkullimi. Pengohet vizitori pengohen gjithë dashamirët e artit. Ky është problemi më i rënd, që mund të sjell edhe konflikt, pasi na bllokohet hyrja kryesore”-tha Behar Ferati, Galeria e Arteve pamore.
Nga komuna e Tetovës, deklarojnë se furgonët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të zezë dhe pa liçenca, andaj edhe nuk ka caktuar vend për parkimin e tyre. Ndërsa sa i përket transportit ndër urban, nga komuna e Tetovës thonë se janë në fazën përfundimtare të përgatitjes së të njëjtit.
Përndryshe, gjatë 4 muajve të kaluar janë konstatuar 1657 shkelje si pasojë e parkimeve vend e pa vend nga ana e taksive dhe vozitësve të furgonëve, të cilat janë rrumbullakuar me 31 fletëpagesa për kundërvajtje, 971 fletëpagesa të detyrueshme për kundërvajtje dhe 655 vërjetje me shkrim. Nga SPB – Tetovë, rikujtojnë se gjoba për parkim në vende të palejuara, arrin prej 45 deri 180 euro.
Bashkim Sulejmani
Loading…



