Ashtu sikurse në shumë qytete tjera shqiptare të vendit, edhe në qytetin e Tetovës, pothuajse në çdo lagje dhe institucion po grumbullohen ndihma të ndryshme për të prekurit nga tërmeti fatal që ndodhi ditën e djeshme në Shqipëri. Në sheshin e Tetovës, është pika grumbulluese e Universitetit të Tetovës, të cilët pika grumbullimi kanë hapur edhe përpara rektoratit por edhe para fakultetit të FSHMN-së, ndërsa nuk mungojnë as organizimet nga nxënësit e shkollave të mesme, të cilët, me ndihmën e profesorëve, nxënësve dhe prindërve të tyre, grumbullojnë ndihma brenda hapësirave të shkollave të tyre, siç është gjimnazi dhe Shkolla e mesme e Mjekësisë.
Ndihmat e grumbulluara në para, deponohen në konton e hapur nga Qeveria shqiptare për këtë dedikim, ndërsa gjësendet tjera që mblidhen nëpër pika të ndryshme të grumbullimit, deponohen tek depoja e zjarrfikësve të Tetovës, të cilët në orët e mbrëmjes do nisen për në Tiranë. Ndihma grumbullohen edhe nëpër fshatra, ku shoqata të ndryshme jo qeveritare, me vetiniciativë, mbledhin ndihma për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Jemi këtu, sot nga mëngjesi e deri në ora 16, para rektoratit, para fakultetit të shkencave matematike natyrore, para mjekësisë, dhe këtu në shesin Iliria dhe ftojmë gjithë qytetarët që të ndihmojnë me aq sa kanë mundësi që me mjetet e mbledhura, t`iu sigurojmë familjeve shqiptare tenda, batanije dhe mjete të ndryshme të nevojshme për to- tha Eljesa Zhaku, studente.
Kemi marrë një nismë vullnetare që t`iu ndihmojmë vëllezërve tanë në Shqipëri nga tragjedia që ndodhi mbrëmë si pasojë e tërmetit. Përkrahje më tepër kemi pasur nga vet nxënësit, profesorët, familjarët tanë por edhe gjithë qytetarët e Tetovës- Besin Behluli. Nxënës SH.M. Mjekësisë.




