Banorët e lagjes së Studentëve në Tetovë të indinjuar nga neglizhenca e autoriteteve komunale morën iniciativë për rregullimin e rrugës. Me fondet që kanë grumbulluar kanë arritur ta shtrojnë rrugën me rërë ndërkohë që i bënë thirrje komunës që ti vendos pllakat e begatonit.
Patëm mbledhje si pronarë banesash dhe ndamë lek krejt që ta bëjmë rrugën por aq e kemi mundësinë, siç e shihni vet, ka ujë kanalizimi nuk punon kemi probleme natën me qentë endacak.
Rërën ne e kemi shtruar me parat tona, ndërsa pllakat le ti vendos komuna se votat i lypin ndërsa punë nuk bëjnë.
Nuk ka interes nga komuna, këto janë vetëm reklama të tyre vijnë bëjnë premtime të ndryshme por me premtimet njejt siç jemi mësuar çdo herë. Çdo gjë që ndodh këtu dritat, ndodhitë si vjedhje të ndryshme askush si merr parasysh as policia as komuna – ankohen disa banorë.
Edhe për kundër faktit se banorët me vet iniciativë kanë shtruar rrugën me rërë dhe presin nga komuna që t`iu ndihmojë me pllaka begatoni dhe ndriçim, mbeten edhe shumë punë tjera në lagjen e studentëve, siç është kanalizimi dhe pastrimi i mirëfilltë i kësaj lagjeje.
Kreu i këshillit komunal të Tetovës Isen Xhemaili, premtoi për të disatën herë se punimet në këtë lagje do të fillojnë menjëherë pas miratimit të planit për investime në këtë rajon.
Ne e kemi miratuar programin për rregullimin e tokës ndërtimore dhe objekteve infrastrukturore dhe është obligim i sektorëve që merren me këtë problem dhe me që jemi në pranverë unë shpresoj që organet do veprojnë dhe do iu dilet në ndihmë edhe këtyre kërkesave – deklaroi Hisen Xhemaili, kryetar i Këshillit Komunal.
Kjo është një ndër lagjet më problematike të Tetovës, ku shpesh, sipas banorëve, ndodhin vjedhje, rrahje madje është shndërruar dhe në çerdhe narkomanësh. Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, edhe pse disa herë ka premtuar se do lëshoj një patrullë të përhershme policore, e njëjta vërehet shumë rrallë apo thuajse asnjëherë.
Bashkim Suljemani