Kështu dukej mali Sharr më 21 dhjetorë të viti 2016. Së paku dy hektarë tokë u përfshi në flakë nga faktori njeri.
Intervenimi i zjarrfikëseve ishte i pamundur për shkak të terrenit jo të mirë, por ata mbetën në fshatin Gjermë, në pritje të ndonjë evakuimi të mundshëm të banorëve. Zjarri fatmirësisht pas disa orëve u shua nga temperaturat e ulëta. Ky nuk është rasti i vetëm i zjarreve në rrethinë të Tetovës.
Muajin e kaluar, ndodhi edhe një rast tjetër, por kësaj radhe piromanët ishin protagonistë të djegies së një makine të familjes Limani nga Tetova.
Shefi i Njësisë së Zjarrfikësve të Tetovës, Uka Aliti i cili thotë se kohëve të fundit janë shtuar rastet e zjarreve. Aliti nënvizon se organet e rendit duhet t’i qasen më seriozisht detyrës për targetimin e piromanëve.
“Është interesant këto ditët e fundit në këtë periudhë kohore të dimrit për ne si Njësi Territoriale kundër zjarrit është interesant se na paraqiten zjarre në sipërfaqe të hapura. Piromanët gjithmonë kanë ekzistuar dhe ekzistojnë. Ne jemi ata që i luftojmë zjarrin kudo që paraqitet. Sa i përket piromanëve të cilët kohët e fundit që edhe ju si medium i keni të njohura rastet që paraqiten në qytetin e Tetovës, faktikisht me ata merren institucionet që duhet të merren me atë punë dhe të punojnë pak më seriozisht zbardhjen e atyre rasteve“, thotë ai.
Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës pohon se në të shumtën e rasteve shkaktar i zjarrit është faktori njeri. Sipas tyre, policia po punon në zbardhjen e këtyre rasteve.
“Po hetojmë shpërthimin e zjarrit në Malin Sharr, mbi fshatin Setollë, më saktë në vendin e njohur si “Plloça”. Fjala është për afro dy hektarë kullosa të djegura, por ekipet e “Pyjeve të Maqedonisë” kanë vlerësuar se në atë moment nuk ka pasur rrezik për përhapje të zjarrit, ndërsa dëmi i shkaktuar ka qenë i papërfillshëm. Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës ndërmori masa dhe aktivitete për të gjetur shkaqet e paraqitjes së zjarrit, gjegjësisht a është shkaktuar ai si pasojë e pakujdesisë njerëzore, e faktorëve të tjerë apo është vënë qëllimisht“.
Në bazë të kodit penal, shkaktimi i qëllimshëm i zjarreve në pyje paraqet vepër të rëndë për të cilën është paraparë dënim me burg prej 6 muajve deri 8 vite, varësisht nga vendi, përmasat e dëmit dhe pasojat e shkaktuara.