Për katër vite me radhë, Tetova refuzon t’ia paguajë afro 2 milion euro kompanisë gjermane “Henkel” e cila ka qenë e angazhuar në pastrimin e qytetit. Denoncimin për Televizionin SHENJA e bëri drejtori gjerman Karl Gerster, i cili insiston për vite me radhë në proces gjyqësor të dëshmojë se komuna e kryesuar fillimisht nga Sadi Bexheti e pastaj edhe nga Teuta Arifi, e ka dëmtuar skajshmërisht.
“Atëherë kryetar ishte Sadi Bexheti i cili e pa se ka mundësi të pastrohet qyteti me këtë projekt. Ne konkurruam në tenderin e hapur dhe e fituam projektin. E ndërpremë punën në mars të vitit 2013 pasi edhe pas ankesës sonë, komuna nuk na i paguante paratë. Pagesat neto për një muaj kanë qenë 80 mijë euro. Atëherë ndodhi ndryshimi i pushtetit. Në Tetovë u emërua kryetare Teuta Arifi e cila kishte thënë se çfarëdo këni patur me kryetarin e kaluar nuk më intereson, un e kam politikën time. Teuta Arifi nuk i jepte shumë rëndësi borxheve që i kishte komuna. Ajo e ka menduar se firma tani nuk e ka bërë punën dhe e ka ndërprerë punën vetë komuna dhe nuk e pranonte se neve nuk na i kanë paguar paratë për 2 muaj”, ka thënë për TV SHENJA, Karl Gerster, drejtor i “Henkel” .
Në marrëveshjen të cilën drejtori i Henkel na e dorëzoi, figuron se kontrata është e vlefshme për shtatë vjet, dhe vetëm për arsye tejet të rëndësishme mund të prishet. Kontratën e ka lidhur Ndërmarrja Publike Komunale Tetovë dhe Komuna e Tetovës, me kompaninë “Henkel” e cila duhet të kryejë shërbimet nën ombrellën e NPK Tetovë.
Ish kryetari i komunës së Tetovë Sadi Bexheti mohon të ketë lidhur kontratë shtatë vjeçare me këtë kompani dhe refuzon të pranojë se nuk ua ka paguar paratë gjermanëve. Ai siguron se Ministria e Ekologjisë është ajo e cila ka urdhëruar që marrëveshja me këtë kompani të ndërpritet pasi është në kundërshtim me ligjin që të angazhohet firmë paralele me NPK Tetovë. Por gjithë këto përgjigje Sadi Bexheti nuk deshi që t’i thotë publikisht, madje na e tërhoqi vërejtjen se nuk guxojmë ta përmendim emrin e tij në asnjë konotacion.
“Ai ka konkurruar në nivel komunal. Ajo ka qenë joligjore por ne nuk e kemi ditur. Pastaj e kemi ndërprerë kontratën se Ministria e Ekologjisë na e dha urdhrin, se nuk kishim të drejtë të angazhojmë kompani tjetër kur ekziston NPK Tetovë…Tani janë zgjedhjet. Unë nuk dua askush të ma përmend emrin. Ju nuk mund të ma keqpërdorni emrin tash para zgjedhjeve. Unë nuk dua asnjë informatë që ua dhash të përdoret…Ku keni qenë ju para katër viteve të më pyesni”, ka deklaruar Sadi Bexheti, ish kryetar i Tetovës.
Komuna e Tetovës nga ana tjetër heshtë. Dërguam një mori pyetjesh në adresën elektronike të komunës dhe kontaktuam edhe zëdhënësin e qytetit, por pas dy ditësh pritje, Teuta Arifi nuk flet për këtë kontratë.
Drejtori gjerman ka paditur komunën e Tetovës dhe tashmë gjendet në shkallën e dytë gjyqësore por nuk ka shpresa se mund të ketë vendim të drejtë pasi ka njohuri se gjykatësit e emëruar për lëndën, janë njerëz të afërt me Bdi-në dhe Teuta Arifin.
“Gjykatësit ishin të gjithë të partisë, të BDI-së dhe Teuta Arifit, prandaj ishin kundër nesh. Në vitin 2014 u ankuam tek Gjykata e Apelit në Gostivar, dhe pastaj ata na dhanë të drejtë 100% në pohimet tona. Por kur u kthye lënda përsëri në Tëtovë, gjykatës ishte një familjar i Teuta Arifit me emrin Abdulla. Tani në vitin 2017 ky gjykatës përsëri e nxorri firmën fajtore. Ne tani për herë të dytë jemi ankuar në Gostivar në Gjykatën e Apelit dhe e dimë se edhe aty prej tre gjykatësve, dy janë të BDI së dhe dihet se përgjigja do të jetë negative”, ka deklaruar Karl Gerster, drejtor i “Henkel”.
Teuta Arifi nuk iu përgjigj as këtyre akuzave për ndikim në gjyqësor.
Ferikan Iljazi Arifi

