Aleksandar Vasilevski – Ninxha, Mlladen Dodevski dhe Dejan Davidovski – Desho fshihen në Maqedoni.
Alsat M jozyrtarisht mësoi se ndonëse ndaj tyre u lëshua urdhër arrest ndërkombëtar për inkursionin e përgjakshëm në Parlament më 27 prill, ata nuk e kanë kaluar kufirin. Mbrëmë vonë, u paraqit vet në burgun e Shutkës, Nikolla Mitrevski – Koljo, i cili së bashku me tre të tjerët ishin të pakapshëm për policinë. Ndërkohë, nga Ministria e Brendshme thonë se po marrin masa për gjetjen e të tjerëve. Prokuroria ndërpreu procedimet për këta katër persona sepse ata ishin në arrati, por në akuzë është theksuar se i arratisuri Aleksandar Vasilevski-Ninxha ka marrë një telefonatë nga një pjesëtar i sigurimit të Nikolla Gruevskit. Kontakti telefonik ishte nga Austria, ku ish-kreu i VMRO-DPMNE-së ndodhej më 27 prill. Pas bisedës, Ninxha mobilizoi 68 njerëz dhe iu ka dhënë maska për të mbrojtur veten nga njohja.
Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës penale për kthimin në paraburgim të Mitko Çavkovit, Dushko Lazarov, Goran Gjoshevskit, Mitko Peshov dhe Oliver Popovski në adresë të Gjykatës penale Shkupi 1, erdhën gjashtë ankesa në lidhje me vendimet e paraburgimit të djeshëm dhe arrestin shtëpiak.
Avokati i deputetit Kërsto Mukoski nga VMRO-DPMNE i cili ka mbetur në arrest shtëpiak shpjegoi se ata po koordinohen dhe më tej do të prononcohen nëse do të ankohen për masën, duke pasur parasysh se Mukoski kaloi pesë muaj në Shutkë. Edhe kolegu i tij Sasho Vasilevski mbetet në shtëpi, ndërsa për Johan Tarçullovskin dhe Ljupço Dimovskin mbesin masat e kujdesit.
Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsionin dy ditë më parë dorëzoi akuzë në Penalen për ndodhitë e 27 prillit. Prokuroria akuzon 30 persona për terrorizëm. Akuza është për vlerësim në Gjykatën Shkupi 1 ku duhet të vendoset nëse do të pranohet apo jo. Në disa raste, kjo procedurë zgjat disa muaj.