Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm në Mianmar ka vazhduar të rritet. Disa ditë pas ngjarjes, mediat shtetërore njoftuan se 3.354 persona kishin humbur jetën, ndërsa 220 të tjerë janë ende të humbur. Po ashtu, 4.850 persona janë plagosur.
Organizatave të ndihmës u është bërë thirrje për kujdes nga rreziku i sëmundjeve të rënda, përfshirë kolerën. Komisioni i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka akuzuar juntën ushtarake që udhëheq Mianmarin, duke thënë se po e kufizon furnizimin me ndihma për komunat që nuk mbështesin regjimin. Ushtria nuk ka dhënë ende një përgjigje për këto akuza.
Vështirësitë për ofrimin e kujdesit shëndetësor janë të theksuara, për shkak të pasojave të luftës civile që ka përfshirë vendin. Që nga rrëzimi i qeverisë së Aung San Suu Kyi në vitin 2021, mbi tre milionë njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Kujdesi shëndetësor ka qenë gjithmonë një problem, dhe tani shumë njerëz janë në rrezik për shkak të urisë. OKB-ja raporton se një e treta e popullsisë ka nevojë urgjente për ndihma humanitare. Tërmeti i shkallës 7,7, që ndodhi më 28 mars, ishte ndër më të fuqishmit që ka goditur Mianmarin në një shekull, duke shkaktuar shembjen e shumë ndërtesave, përfshirë spitale, dhe shkatërrimin pothuajse të plotë të disa komunave.
Ndërkohë, shefi i juntës ushtarake, Min Aung Hlaing, shkoi në një samit rajonal në Bangkok, duke shkaktuar protesta të forta në vendin fqinje. Për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave dhe rindërtimin, junta shpalli një armëpushim të përkohshëm më 2 prill 2025. Megjithatë, OKB-ja ka raportuar më 3 prill se armëpushimi nuk po respektohet, pasi ushtria ka kryer të paktën 16 sulme ajrore që nga mesi i javës, përfshirë sulme në zona të prekura nga tërmeti.