14 May
Tërmeti me zhurmë të madhe sot në orën 4 e 8 minuta të mëngjesit ka zgjuar banorët e Shkupit. Sipas matjeve të laboratorit sizmologjik në Shkup, bëhet fjalë për dridhje prej 4.2 shkallëve sipas Rihterit që ka goditur epiqendrën rajonale të Shkupit, ku edhe ndodhi tërmeti i vitit të kaluar.
“Është dukuri normale që në epiqendrën rajonale ku kishim tërmet prej 5.3 shkallësh të pasojë lëkundje prej 4 shkallëve sipas Rihterit, përkatësisht 4.2 ballë siç ishte ky. Kjo nuk do të thotë se do të ketë sërish, por nuk përjashtohet mundësia për tërmet tjetër, edhe njëherë do të them se nuk ka hapësirë për shqetësim te popullata –deklaroi Dragana Çernih, sizmolog në laboratorin sizmologjik, Shkup.
Epiqendra e tërmetit të sotëm ishte në afërsi të fshatit Marino. Përsëri shtrohet pyetja nëse eventualisht aktiviteti sizmik në këtë rajon të Shkupit ka lidhje me përmbytjet e mëdha të gushtit të kaluar?
“Sipas të gjitha hulumtimeve, deri më tani uji nga shirat mund të hyjë deri në 1 kilometër thellësi ndërsa siç thash epiqendra e tërmetit ka thellësi prej 15 kilometrave, që do të thotë se nuk ka ndikim të veçantë në paraqitjen e tërmetit – shtoi Dragana Çernih.
Tërmeti i sotëm nuk ka shkaktuar dëme materiale, por vetëm shqetësim tek një pjesë e qytetarëve. Dridhja e vitit të kaluar shkaktoi dëme të caktuara në objekteve të ndryshme ndërsa disa qytetarë madje kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Bojan Simonoviq

