Bunjamin Murtezi
Kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski ka lansuar në opinion një himn në emrin e komunës së Kumanovës, himn që përfaqëson vetëm maqedonasit e LSDM-së, pa i përfshirë shqiptarët e LSDM-së dhe shqiptarët tjerë, ne që jemi pjesë përbërëse e këtij qyteti.
Dimtrievski u përgatit për këtë himn në emrin e komunës, me qëllim që të shpalos idenë e tij përcarëse e cila si duket nuk po i mbin as në LSDM-në e Kumanovës. Jo rastësisht, Maksim Dimitrievski është Kali i Trojës në LSDM-në e Kumanovës. Jo rastësisht, Dimitrievski nëse do të dilte për t`u matur në zgjedhjet e ardhshme lokale do të humbiste pjesën dërmuese të përkrahjes shqiptare.
Ajo që po më habit me Dimitrievskin dhe LSDM-në e Kumanovës është qasja dhe mënyra se si kjo parti promovon anti-vlera, diskriminimin etnik që po i ndodh shqiptarëve të Kumanovës. Si është e mundur që shqiptarët e Lagjes së trimave të vrapojnë pas një Kali të Trojës si Maksim Dimitrievski? A e keni pyetur veten ju shqiptarët e LSDM-së se a përfaqësoheni në atë himn të Dimitrievskit.
Zoran Zaevi siç duket ka vendosur që ta heq Trojën nga Kali dhe ta lë Kalin vet. Ka vendosur që t`ia jap drejtimin e ushtarit të panjohur, ose t`ia ndërtoj monumentin e Pajkos në sheshin e qytetit.
Ajo që më habit është mënyra se si këshilltarët shqiptarë në Komunën e Kumanovës nuk kanë reaguar e as që e kanë parë të arsyeshme për të reaguar në lidhje me këtë skandal që ka tronditur opinionin kumanovar. Si është e mundur që me para të ministrisë së kulturës të financohet një himn përçarës, diskriminues dhe inkriminues për shumicën e banorëve të Kumanovës?
Të mos harrojmë se Kumanova nuk ka vetëm maqedonas dhe shqiptarë. Në të jetojnë edhe etnitetet tjera, si turqit, romët, vllahët, boshnjakët e të tjerët. Asnjëri prej tyre nuk u përfaqësua në himnin e Kalit të Trojës.
Troja historike ka ngel vetëm nëpër filmat e Hollivudit, ndërsa Kali i Kumanovës po vazhdon me avazin e Trojës për të djegur shumicën e qytetarëve të Kumanovës.
Nuk e di se si janë mashtruar shqiptarët e Kumanovës për t`i besuar babait të qytetit? Tashmë është e qartë kjo çështje e ndarë si një vijë e drejtë dhe e hollë. Ai që përkrah Maksim Dimitrievskin është duke përkrahur haptas një anti-shqiptar të përbetuar i maskuar si Kali i Trojës.
Sot është vonë për të qëndruar i qetë e për të peshkuar ndjenjat e votuesve shqiptarë. Shqiptarët duhet që të ndërgjegjësohen dhe në zgjedhjet e ardhshme lokale të thonë njëzëri: NUK KA VOTË SHQIPTARE PËR MAQEDONAS.