Është zbardhur dëshmia e 18-vjeçares italiane, e cila ka denoncuar se është përdhunuar nga 26-vjeçari Leonardo Preza, në shezlongët përballë një hoteli në lagjen 13 në Durrës, në orët e para të mëngjesit të 5 shtatorit.
Në dëshminë e saj, e dhënë në prani të një psikologeje dhe oficerëve të policisë, vajza ka rrëfyer se Preza e ka sulmuar, por pavarësisht tentativave të saj për t’u mbrojtur, ai e ka përdhunuar.
“Gjatë natës kemi qenë me shoqërinë dhe kemi konsumuar edhe alkool. Për një çast unë jam larguar prej grupit dhe jam ulur në një shezlong që gjendej disa metra larg hotelit. Kjo ka ndodhur rreth orës 05:30 afërsisht të mëngjesit të 5 shtatorit. Gjatë kësaj kohe më është afruar një person i cili më ka sulmuar dhe me gjithë tentativat e mia për t’u mbrojtur, më ka përdhunuar pas rezistencës time. Më pas ai është larguar. Unë erdha te juve për të bërë kallëzim lidhur me këtë ngjarje”, ka deklaruar 18-vjeçarja italiane.
Raportohet se vajza ka shfaqur edhe shenja të dukshme lëndimesh, të cilat janë dokumentuar nga mjekësia ligjore.
Nga ana tjetër, Leonardo Preza, 26 vjeç, person me precedent penalë për vepra të mëparshme si armëmbajtje pa leje dhe vjedhje, u arrestua në flagrancë pas identifikimit nga policia.
Në dëshminë e tij të dhënë në komisariat, Preza ka pohuar se ka kryer marrëdhënie me vajzën, por sipas tij gjithçka ka qenë konsensuale.