Prokuroria Publike prezantoi dëshmi të reja në rastin e tentim vrasjes ndaj kreut të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Selës. Në video incizimin e publikuar në seancë, shtatë nga dhjetë të akuzuarit u panë në mesin e turmës që e sulmonin Selën. Inçizimi shpalosi edhe momentet para sulmit të Selës, kur protestues të caktuar e kanë parë atë në mesin e deputetëve dhe kanë bërë thirrje për ta tërhequr zvarrë duke e quajtur me fjalë fyese “kopil” dhe duke adresuar fyerje të rënda ndaj tij. Avokati i Selës paralajmëroi masa juridike edhe ndaj personave të cilët sot për herë të parë u panë në incizim e që nuk janë të përfshirë në akuzë.
Presin që pas seancës së sotme ku qartë u pa roli i të akuzuarve, gjykata të sjell vendimin e duhur. Për personat që shihen në incizime dhe nuk janë pjesë e procedurës do të punojmë më tej bashkërisht me organin e akuzës – tha Abedin Abdyli, Avokat i Ziadin Selës.
Ndonëse avokati i të akuzuarit Aleksandër Janevski Toshta insiston se klienti i tij e ka mbrojtur Selën dhe deputetët tjerë, incizimi dëshmoi se Toshta në mënyrë selektive i ka orientuar njerëzit tek vendi ku më shumë se 10 persona veçmë ishin duke goditur deputetin Sela për derisa ky i fundit ishte duke rënkuar në tokë. Në video incizimin e publikuar sot nuk u panë të akuzuarit e parë Kire dhe Cejo Gjorgjievskit të cilët në incizime paraprake shihen duke tërhequr zvarrë deputetin Sela. Për tentim vrasjen ndaj Selës më 27 prill akuzohen 10 persona. Gjykimi do të vazhdojë më 6 qershor.
Adrian Kerimi