Dy persona kanë mbetur të plagosur ditën e enjte, më 8 janar, në Portland, Oregon, gjatë një përplasjeje me armë ku ishin të përfshirë agjentë federalë amerikanë. Autoritetet lokale konfirmuan se një burrë dhe një grua u dërguan në spital, por gjendja e tyre mbetet e paqartë.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), ngjarja ndodhi pasdite, gjatë ndalimit të një anëtari bande venezueliane. Siç shkruan BBC, zyrtarët thanë se ai tentoi të përplasë agjentët me automjetin e tij, çka detyroi një prej tyre të qëllonte në vetëmbrojtje. Drejtuesi i makinës u largua nga vendi i ngjarjes së bashku me pasagjeren.
“Kur agjentët u identifikuan tek pasagjerët e automjetit, drejtuesi e përdori automjetin si armë dhe tentoi të përplasë agjentët e ligjit. Duke u frikësuar për jetën dhe sigurinë e tij, një agjent qëlloi një të shtënë mbrojtëse. Drejtuesi u largua me pasagjerin, duke ikur nga vendi i ngjarjes.”, tha DHS në një postim në X.
DHS deklaroi se pasagjerja ishte një emigrante e paligjshme venezueliane, e lidhur me rrjetin kriminal Tren de Aragua, i cili merret me prostitucion dhe dyshohet për përfshirje në një të shtënë të mëparshme në Portland.
Policia e Portlandit sqaroi se oficerët e saj nuk morën pjesë në incident, por u thirrën më vonë pas raportimeve për të shtëna. Dy personat e plagosur u gjetën disa blloqe më larg dhe u ndihmuan nga oficerët me mjekim të parë para se të dërgoheshin në spital. Mediat amerikane raportuan se ata ishin një çift i martuar.
Prokurori i Qarkut, Nathan Vasquez, tha se është i angazhuar për një hetim të plotë dhe të paanshëm, ndërsa hetimi po udhëhiqet nga FBI. Kryetari i Bashkisë së Portlandit, Keith Wilson, kërkoi pezullimin e operacioneve të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganës (ICE) në qytet deri në përfundimin e hetimit, duke akuzuar administratën federale për përpjekje për të përçarë komunitetin.
Ngjarja ndodhi vetëm një ditë pas një tjetër incidenti në Minneapolis, ku një agjent federal vrau një grua, duke nxitur protesta në disa qytete amerikane. Autoritetet lokale paralajmërojnë se tensionet në Portland janë të larta dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë.


