
Tensione dhe përplasje të mëdha janë paraqitur në BDI mes grupeve që janë pro dhe kundër koalicionimit me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit. Brenda kësaj partie sot dhe nesër do të zhvillohen edhe disa mbledhje të organeve partiake dhe funksionarëve të kësaj partie, ndërsa më së voni të dielën pritet të merret vendimi përfundimtar nëse do të formojnë ose jo Qeveri me partinë e Gruevskit. Pro vazhdimit të koalicionit me partnerin e deritanishëm janë disa ish funksionarë, ish ministra dhe ish zëvendës kryeminstri Musa Xhaferi, si dhe udhëheqësia e BDI-së në Shkup. Por, kjo degë edhe për brenda është e ndarë në këtë temë. Udhëheqësia dhe disa ish funksionarë nga kjo degë janë pro koalicionimit me Gruevskin madje ata jozyrtarisht mësohet se janë më këmbëngulësit për një koalicion të tillë. Ndërkaq kreu i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njëherësh nënkryetar i partisë është shprehur kundër. Bashkë me Mexhitin, kundër koalicionit me Gruevskin janë edhe nënkryetarët e tjerë, Teuta Arifi dhe Nevzat Bejta. Mexhiti, Bejta, Arifi si dhe nënkryetari tjetër, Sadulla Duraku qëndrimi i të cilit ende nuk dihet saktësisht, pritet të mblidhen sonte në selinë e partisë në Tetovë ku do të diskutojnë për këtë temë. Kjo mbledhje vjen një ditë para mbledhjes së Kryesisë Qendrore ku do të ftohen të gjithë funksionarët, drejtuesit e degëve dhe zyrtarët e tjerë partiak për të marë vendimin e fundit dhe përfundimtar për koalicionim ose jo me partinë e Nikolla Gruevskit. Pro koalicionit mësohet se është edhe kreu i partisë, Ali Ahmeti, shefi i kabinetit të tij, Artan Grubi, zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani si dhe disa funksionarë të tjerë partiak dhe ish funksionarë qeveritarë. Media të ndryshe kanë njoftuar ditëve të fundit se përçarje ka edhe brenda grupit parlamentar, por aty mësohet se dominojnë mbështetësit e qeverisjes me Gruevskin. Ky i fundit ka afat që më së voni deri të dielën në Kuvend të dorëzojë propozimin për programën dhe kabinetin e ri qeveritar, ndërsa BDI duhet të marrë vendimin përfundimtar deri të shtunën në mbrëmje ose më së voni para ditën e së dielës. Ndërkohë në tre ditët e fundit të afatit për formimin e Qeverisë nuk dihet ende fati i pikavë të platformës së përbashkët të partive shqiptare si dhe pikave të cilat i kishte vendosur më pas BDI si kusht për koalicionim duke i quajtur si të panegociueshme. Për të njëjtat, VMRO-DPMNE u shpreh në mënyrë kategorike se nuk do t’i pranojë as zyrtarizimin e gjuhës shqipe e as vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike. Jozyrtarisht mësohet se në takimet e fundit të organeve të BDI-së, është shpalosur dhe një skenar tjetër, sipas të cilit, nëse deri të dielën BDI nuk i thotë po VMRO-së, atëherë presidenti Gjorgji Ivanov do të japë dorëheqje dhe vendi detyrimisht do të duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të përgjithshme të cilat duhet të mbahen në afat sa më të shkurtër. Këto zgjedhje mësohet se nuk i konvenojnë partisë së Ahmetit, pas rënies që pësoi në zgjedhjet e 11 dhjetorit dhe pas ndasive që janë paraqitur në radhët e partisë si pasojë e këtij rezultati dhe zhvillimeve të fundit lidhur me koalicionin qeverisës.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Tensione në BDI para koalicionimit me VMRO… by tvshenjaofficial