Temperaturat e larta kanë shkaktuar edhe viktimën e parë në qytetin e Shkupit. Një grua 47 vjeçare, në afërsi të Parkut të Qytetit dje ka ndërruar jetë si pasojë e të nxehtit, e cila bashkë me kolegen e saj, ka dalë të marrë taksinë, pasi ka dalë nga hapësira e klimatizuar ku punonte. Po ashtu, nga moti i nxehtë, ALSAT mëson se ka një rritje të ndjeshme edhe të aksidenteve rrugore. Përgjatë ditëve të fundit, ambulancat janë më të shpeshta në rrugët e Shkupit, ndërkohë që nëpër qendra spitalore, numri i atyre që kërkojnë ndihmë, është më i madh. Mjeku Burak Shabani nga qendra spitalore e Bit Pazarit thotë se qytetarët duhet t’i shmangen ekspozimit në diell, sidomos të sëmurët kronik dhe fëmijët.
Më së shumti problem e kanë personat me sëmundje kronike dhe fëmijët duhet më pak të lëvizin. Po ashtu është e rëndësishme kur dalim nga vendet e klimatizuara. Dallimi i temperaturave të mos jetë i madh, mos të jetë shumë e ulët në shtëpi, zyra apo vende pune pasi ajo mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme, sepse temperaturat jashtë janë mbi 40 graë- tha mjeku Burak Shabani.
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha për Alsat se dikasteri i tij i njofton qytetarët për masat që duhet të merren nga temperaturat e larta.
Vazhdimisht ministria e shëndetësisë dërgon të dhëna te të gjithë qendrat mjekësore të vendit se cilat do të duhet të jenë masat, cilat janë grupet e rrezikut, cilat duhet të jenë preferencat e mjekëve dhe kjo është bërë rregullisht- dekalroi Ministër i Shëndetësisë Arben Taravari.
Pavarësisht se numri i të goditurve nga vala e të nxehtit është i madh, nga Instituti për shëndet publik ende nuk kanë dalë me shifra konkrete. Temperaturat e larta vazhduan edhe sot, pavarësisht paralajmërimeve për reshje shiu dhe një valë freskimi gjatë fundjavës.
Senat Zylbehari

