Drejtori i Telekom Serbia, Vladimir Luçiç, ka deklaruar se kompania e tyre planifikon të hyjë në një fazë të re zhvillimi në Maqedoninë e Veriut, me investime shtesë prej 50 milionë eurosh dhe me ambicien për t’u bërë operatori kryesor në këtë vend, ashtu siç tashmë është arritur në Mal të Zi, transmeton Newsmax Balkans.
Ai tha se synimi është që Telekomi Serbisë të jetë i pari në vendet e rajonit, ashtu si në Mal të Zi, edhe pse në fillim nuk dukej e mundur, por pas 10 vitesh Telekomi u bë numri një në atë shtet.
“Në Maqedoninë e Veriut tregu është jashtëzakonisht konkurrues dhe në një nivel të lartë zhvillimi. Janë të zhvilluara si rrjetet optike, ashtu edhe telefonia mobile, ndërsa ne jemi lojtarë të rinj. Do të përpiqemi që në të ardhmen e afërt të kontribuojmë në rritjen e konkurrencës. Në përgjithësi, Ballkani Perëndimor është në një nivel të lartë zhvillimi të infrastrukturës optike dhe mobile. Kur shihen disa hulumtime të mëparshme të Kombeve të Bashkuara, shihet se telekomunikacionet në rajon janë të zhvilluara në shkallë të lartë”, ka theksuar Luçiç për Newsmax Balkans Shkup.
Duke folur për investimet që po realizohen aktualisht në Maqedoninë e Veriut, Luçiç tha se është krenar për këtë, pasi fillimisht janë investuar 18 milionë euro, që janë investime të huaja direkte.
Sipas tij, plani është që Telekomi të qëndrojë afatgjatë në Maqedoninë e Veriut, prandaj edhe investimet janë të konsiderueshme.