Të dielën më 25 dhjetor, në vendvotimin 20 11 në Komunën e Tearcës do të ketë rivotim. Komisioni Shtetëror Zgjedhor informoi se fletëvotimi për rivotim në Tearcë mbetet i njëjtë. Rivotimi në Tearcë, mund të sjellë ndryshim në mandatet e fituara nga partitë VMRO-DPMNE dhe LSDM. Nëse LSDM i merr 307 vota më tepër se VMRO-DPMNE, atëherë mandatet do të jenë të barabarta, gjegjësisht 50 për LSDM-në dhe 50 për VMRO-DPMNE-në.
Në këtë vend-votim ka të regjistruar 714 votues, me përbërje të përzier etnike, por me dominim të shqiptarëve. Më 11 dhjetor 310 qytetarë nuk kanë dalë të votojnë, ndërsa kanë votuar 404 qytetarë me të drejtë vote, prej të cilëve 91 kanë votuar për VMRO-DPMNE-në, 87 për LSDM-në, 65 për Rilindje me BESË, 64 për PDSH-në, 53 për BDI-në, 25 për Aleancën për shqiptarët dhe nga një për VMRO për Maqedoninë dhe Koalicionin për ndryshime dhe drejtësi – Blloku i tretë. Ndërkaq, 17 vota janë shpallur të pavlefshme.
VMRO-DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të marr pjesë në rivotim, mirëpo aktivist të kësaj partie veçmë kanë dalë në teren dhe punojnë për zgjedhjet e së dielës. Partitë shqiptare thanë se do ta lënë të lirë vullnetin e qytetarëve që ta shprehin, pasi me këtë rivotim, nuk mund të ketë ndryshime tek mandatet e partive shqiptare.
Komisioni Evropian pret nga të gjitha partitë që të marrin pjesë në mënyrë të qetë për rivotim, që të mbarojë procesi zgjedhor. Zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiq, tha se Bashkimi Evropian pret nga të gjithë liderët partiak në Maqedoni që të tregojnë përgjegjësi më të madhe. /SHENJA/
Tearca mund të sjellë ndryshime mandatesh by tvshenjaofficial