Policia e Shtetit, nga sot, mund t’ju ndjekë edhe me “Lamborghini”, “Range Rover”, “BMV 7” apo edhe me ndonjë “Audi”, prodhim i fundit. Nuk është e thënë më të kenë vetëm ato mjetet që shpesh iu mbeten rrugëve. Bëhet me dije se Policia e Shtetit ka menduar të përdorë mjetet luksoze që shqiptarët i kanë ose të pajustifikuara, ose që, sipas Policisë, rezultojnë të vjedhura nëpër vendet e ndryshme të botës dhe qarkullonin në vendin tonë. Ato mjete janë konfiskuar dhe kanë kaluar në llogarinë e dikasterit blu, të cilët thonë se po përpiqen të rregullojnë parametrat e sigurisë me anë të tyre. Po ashtu, bëhet me dije se aksionet për të bërë të mundur edhe grumbullimin e mjeteve të tjera me të tilla probleme do të vijojnë edhe në të ardhmen me qëllim që këto parametra të vijnë gjithnjë e në rritje dhe sigurisht gjithçka bëhet për të rritur cilësinë e shërbimit komunitetit.
Dy ditë më parë, Policia bëri me dije se po vijon kontrollet në rrugët e Tiranës për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor. Gjatë javës që lamë pas, nga shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, janë arrestuar dhe proceduar për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor 24 persona, nga të cilët 15 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Gjatë inspektimit Policia ka bllokuar 16 mjete luksi nga “Range Rover” deri te “Lamborghini”, mjete që është vendosur të mbahen tashmë në shërbim të bluve, duke i ndarë për sektorët ku mendohet se mund të shërbejnë më mirë këto mjete.
Sipas të dhënave që vijnë nga Policia e Shtetit, bëhet me dije se mjetet e sekuestruara dhe më pas të konfiskuara janë makina që kanë rezultuar të vjedhura dhe përdoren në vendin tonë. Po ashtu, janë një sërë mjetesh që pretendohet se të zotët e tyre nuk kanë mundur t’ua identifikojnë burimin e blerjes e aq më pak të vlerës që kanë mjetet realisht në treg, e për pasojë është bërë edhe bllokimi dhe më pas konfiskimi i tyre. Në fakt, mjetet që pretendon Policia që janë përvetësuar prej saj, janë mjete me fuqi të lartë motorike e për pasojë harxhimi do të jetë shumë herë më i lartë se sa nga mjetet seri që përdor Policia. Duke pasur parasysh krizat që lajmëron përditë qeveria në lidhje me furnizimin me karburant, Policia ndër të tjera duhet të bëjë edhe llogaritë e shpenzimeve që kanë mjete të tilla, të cilat përdoreshin nga persona që nuk e justifikojnë pasurinë.
Në reagimin zyrtar bëhet me dije se nuk është një investim direkt i bluve për forcimin e flotës së automjeteve, por si rezultat i sekuestrimit të një pjese makinash gjatë pesë muajve të fundit. Si kjo makinë, e cila tashmë patrullon në rrugët e vendit, janë edhe 14 automjete të tjera, prodhime të viteve të fundit, të cilat tashmë janë në përdorim nga disa prej sektorëve të Policisë së Shtetit, që kanë specifika të veçanta shërbimi. Sipas Policisë së Shtetit njëra prej këtyre makinave është e blinduar, ndërsa janë vënë në dispozicion të tyre pas sekuestrimit gjatë operacioneve policore për goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Në pesë muajt e fundit, Policia e Shtetit ka sekuestruar automjete që janë blerë me të ardhura nga aktivitete kriminale, apo të vjedhura jashtë vendi.



